Fati dhe fataliteti i femrës shqiptare


Romani “Një dashuri e vrarë”, një rrëfim provokues i shkrimtarit
Pierre- Pandeli Simsia

Nga:Dukagjin HATA

Në vazhdën e asaj tradite, ku kanë hedhur themelet e ngrehinës së tyre estetike
ikonat e letrave dhe kulturës shqiptare në diasporë, Noli, Konica etj. po ecin dhe
krijuesit e rinj, të cilët në një raport të ri psiko-gjeografik me “lëndën e parë” të
frymëzimit, përcjellin në krijimtarinë e tyre metaforën e kërkimit të lirisë, kryetema
e thuajse të gjitha veprave të vërteta dhe autorëve dinjitozë. Radha e këtyre
shkrimtarëve, kryesisht të rinj, kërkojnë në shtratin psiko-estetik të një realiteti
global, në bashkësinë e pikave konverguese dhe diverguese, të veçantat e botës
shqiptare në përgjithësi dhe dhe të atij që quhet “trungu amë” ne veçanti.

Një i tillë syresh, Pierre Pandeli Simsia, një djalë energjik nga Berati, emigrant në
SHBA, me dy librat e tij në prozë, botime të Shtëpisë Botuese “Arbëria” Tiranë,
shpalos realitetet post-diktatoriale në vendin e tij, në sferën e marrëdhënieve
sociale, sidomos në fushën e marrëdhënieve dashurore. Pas librit me tregime “Le
të jem unë Zamira”, që u mirëprit nga lexuesi dhe kritika, Pierre Pandeli Simsia,
vjen me romanin e tij të parë me titull “Një dashuri e vrarë”, një narracion i
ngjeshur, ku fati i kryepersonazhes paradestinohet nga rrethanat psiko-sociale të
një komuniteti, ku dukuritë e reja të modernitetit bëjnë një reaksion të egër, duke
provokuar frikë dhe paragjykim kolektiv. Fati tragjik i Dorinës, jeta e së cilës, nga
ajo e një vajze të pastër e plot ëndrra të bukura për jetën, në atë të një prostitute
që masakrohet në mënyrë barbare nga tutori i saj, është fati i qindra vajzave të
tokës së shqiponjave, që në kërkim të dashurisë dhe lirisë, gjejnë ankth,
zhgënjim, lot e përdhunime. Ato nisën në kërkim të “Tokës së Premtuar” të
ëndrrës dhe dashurisë, por përfundojnë si “skllave të seksit” në bodrumet e
instinkteve kriminale të bashkëkombasve të tyre, trotuareve të vendit të tyre apo
metropoleve të huaja. Akti tragjik i kësaj drame, bëhet akoma më i trishtë në një
realitet global, ku lufta ndaj krimit dhe trafikut ka shënuar arritje të epërme,
ndërkohë që vendi i vogël ballkanik vazhdon të furnizojë me “lëndë të parë”
industrinë kriminale të qejfit bodrumeve dhe skutave të Evropës e më gjërë. “Një
dashuri e vrarë" nuk është një histori sentimentale dashurie, por një narracion
provokues i fatit njerëzor, në një vend ku psikozat totalitare janë zëvëndësuar me
sindromat e skllavërimit të qënieve të dobëta. Manikët, perversët, tutorët dhe
gjithë kontigjentët e botës së krimit, në lulëzim e sipër, janë njerëz të veshur me
pushtetin e egove kriminale, që nuk ndalen para asnjë ndjenje humane, në
rrugën e aferave të tyre mafioze. Rrëfimi është një akuzë e gjallë për klasën
politike shqiptare, për atë muranë të trishtë të indiferencës, ku përplaset njeriu i
thjeshtë, deri tek viktimizimi sipëror i tij. Mijëra vajzat shqiptare që mbushin
semaforet e Evropës, janë pengu i kësaj klase, që vazhdon ta mbajë shoqërinë
shqiptare në kthetrat e një tranzicioni përtej të gjitha parashikimeve. Historinë
lexuesi le ta ndjekë në faqet e romanit, por ajo që ia vlen të evidentohet është
humanizmi i autorit, shkrirja e tij ideoemocionale me fatin e personazhes, me
dramën e saj deri në tragjizëm. Simsia nuk rrëfen në mënyrë të ftohtë, por bëhet
një me personazhen e tij, pjesë e dhimbjes dhe shpresës se një ditë ky realitet
ngjyrë gri do të ndryshojë… Ndonëse i një formati dhe mjedisi krejt të ndryshëm,
për nga kurba emocionale që përcjell, për nga tharmi tragjik që mbart, “Një
dashuri e vrarë” e shkrimtarit shqiptaro-amerikan Pierre-Pandeli Simsia, të kujton
romanin e famshëm “Një tragjedi amerikane” të Drajzer-it. Larg vendit të tij, me
banim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku historikisht është krijuar një letërsi
e vërtetë nga shkrimtarët tanë të diasporas, qysh nga apostujt Noli e Konica e
deri te më pak të njohurit, Simsia ndërton një univers narrativ me “miellin e tij”, ku
detaji artistik dhe mesazhi shkrihen në një amplitudë poetike, ku gjallon dashuria
për jetën dhe lirinë, si vlera më autentike e njeriut. Arkitipi i lirisë së zgjedhjes së
dashurisë, që këputet në mes nga psikozat delirante të tutorëve, është një
metaforë e kërkimit të shkrimtarit në natyrën psikike të njeriut, në etjen e tij për
jetë të vërtetë. Romani është ndërtuar me një kompozicion të thjeshtë, por
funksional. Shkrirja e monologjeve dhe dialogjeve, tekstit dhe nëntekstit,
paralelizmi figurativ midis dukurive të natyrës dhe gjendjes shpirtërore të
personazheve, ambientet e gjallë dhe ekspresivë, dialogjet e ngjeshur, pasazhet
e kursyera, por funksionale, e bëjnë rrëfimin të një natyre disi filmike, ku
paragrafet ngjajnë me blicet e një filmi artistik. Romani është shkruar me një
gjuhë të zhdërvjellët dhe lexohet me një frymë. Romani “Një dashuri e vrarë” i
shkrimtarit Pierre-Pandeli Simisia është një prozë kualitative, e shkruar me tharm
dhe ndjenjë, ku humanizmi është kryefjala e çdo pasazhi dhe një thirrje për
ridimensionimin e vetvetes sonë, në raport me të keqen brenda nesh dhe të
keqen brenda shoqërisë shqiptare.