








Në Berat përurohet sheshi Robert Schuman
Qyteti 2400 vjeçar i Beratit që pritet të njihet nga UNESCO si pjesë e
trashëgimisë kulturore të njerëzimit dhe banorët e tij ditët e fundit përjetuan një
ngjarje tjetër të rëndësishme.
Në sheshin në qendër të qytetit përpara Albtelekomit është vendosur busti i njërit
prej arkitektëve të Bashkimit Evropian themeluar në Romë më 1950, Robert
Schuman.
Robert Schuman do të qendrojë përjetësisht në qytetin e kulturës së lashtë, në
qytetin muzeal, në Berat.
Me vendosjen e bustit edhe sheshi tani mban emrin "Sheshi Robert Schuman".
Në ceremoninë e vendosjes së bustit dhe emërtimin e sheshit me emrin
Schuman, krahas përfaqësuesëve të pushtetit vendor, morrën pjesë edhe
senatori Xavier de Villepin, Presidenti i Fondacionit Schuman Jean-Domenique
Giuliani, ambasadorë dhe përfaqësues të trupit diplomatik, përfaqësues të
Qevesirë Shqiptare dhe politikanë të tjerë.
Berati me arkitekturën e tij të famshme dhe të rrallë, me kulturën e tij të lashtë,
me mikpritjen, gjelbërimin... e tij, befason çdo mysafir, vendas dhe të huaj.
Një befasim të tillë ndjenë edhe kësaj radhe miqtë e huaj.
Ja si është shprehur Senatori Xavier de Villepin: "Ky është një homazh shumë i
bukur që i bëjmë sot autoritetit të mrekullueshëm dhe mikpritës të Beratit dhe
Robert Schumanit, njërit nga themeluesit të ndritur, që së bashku me Adenaurin,
Monen de Gasperin vendosën themelet e Bashkimit Evropian. Dëshiroj të vë
theksin mbi një vlerë që është shumë e shtrenjtë për vendin tim, ajo e diversitetit
kulturor dhe gjuhësor.
Diversiteti i gjuhëve, kulturave dhe folklorëve që përbëjnë familjet tona evropiane
është një pasuri e kontinentit tonë.
Thesaret kulturore dhe shpirtërore që strehon qyteti i Beratit janë dëshmia e saj
më e mirë.
Përtej përpjekjeve që duhet të bëjë akoma Shqipëria, prirja e vendit tuaj është
integrimi përfundimtar në institucionet e BE dhe për këtë Shqipëria do të ketë
gjithmonë mbështetjen e Francës"
Ndërsa në përshëndetjen e tij Presidenti i Fondacionit Schuman Jean-Domenique
Giuliani, në emër të këtij fondacioni tha: "Duke vendosur statujën e Schumanit në
këtë shesh në qendër të këtij qyteti të mrekullueshëm të lashtë dhe historik, ju
nderoni me këtë rast një francez të madh, gjithashtu edhe një evropian shumë të
madh. Mesazhi i Schumanit dhe kolegëve të tij është dhe sot e kësaj dite aktual,
është mesazh paqeje, nuk ka urrejtje, nuk ka konflikte.
Banorët e kësaj toke të vjetër prej 25 shekuj e dinë mirë për çfarë po flas.
Evropa ishte lodhur me luftrat dhe konfliktet e gjata dhe kishte ardhur koha që në
fund të shekullit të 20-të të mbyllej një kapitull jo i ndritur i Evropës. Për një kohë
të gjatë kemi ngatërruar patriotizmin me nacionalizmin. Kemi ngatërruar dashurinë
për atdheun që është normal dhe i ligjshëm me nacionalizmin që është i ashpër
dhe konfliktual. Sa më shumë të jemi patriotë aq më shumë jemi dhe evropianë.
Shqiptarët dhe beratasit i përkasin Evropës prej shumë shekujve dhe ky gjest që
ju po na bëni, nuk do të tradhëtohet".
Po pse pikërisht Berati?
Gjatë periudhës që zoti Besnik Mustafaj ishte shefi i Diplomacisë Shqiptare kishte
zgjedhur Beratin si qyteti më i lashtë për ta prezantuar në Evropë.
I pranishëm në atë ceremoni të rëndësishme në Berat, zoti Mustafaj tha: "Robert
Schuman nuk ka mundur të vinte në Shqipëri kur ishte gjallë, sepse e tillë ishte
historia e Shqipërisë atëhere dhe sot i vetmi vend evropian që kishte mbetur pa
simbolin e tij ishte Shqipëria. Unë, midis të gjithë qyteteve shqiptare nuk gjeta një
qytet më të përshtatshëm se Berati dhe ja pse: ja ku kemi përballë këtë kishë dhe
këtë xhami, (Në qendër të qytetit të Beratit qendrojnë madhështore pranë njëra
tjetrës xhamia e quajtur "Xhamia e Plumbit" dhe kisha e madhe e quajtur "Kisha e
Vakëfit") kemi qytetërimin mesjetar me qytetërimin modern.
Pavërisht se këtu jemi përfaqësues të forcave të ndryshme politike, ne
bashkohemi te mendimi i Schuman-it, se Shqipërinë dhe atdheun e kemi të
përbashkët dhe së bashku duhet ta ndërtojmë dhe se vetëm duke ndërtuar mirë
atdheun tonë ne gjejmë vendin tonë në Evropë".
Për vlerësimin dhe nderit të madh që i bëhet Shqipërisë dhe Beratit me
përjetësimin e Robet Schumanit në vendin tonë përshëndetën edhe pushtetarët
vendorë, Prefekti i Beratit, zoti Roland Bejko dhe Kryetari i Bashkisë së Beratit,
zoti Fadil Nasufi.
Përshëndeti edhe Kryetari i Komisionit të Integrimit në Parlamentin Shqiptar, zoti
Ilir Meta.
Vendosja e bustit të Schuman-it dhe emërimi i sheshit me emrin e tij është një
nder i madh që i bëhet qytetit të lashtë muzeal të Beratit dhe qytetarëve të tij,
është nder i madh për Shqipërinë dhe për të gjithë shqiptarët, si vend dhe popull
evropianë që jemi dhe që i përkasim Evropës.
Robert Shuman ishte njëri prej arkitektëve të Bashkimit Evropian themeluar në
Romë në vitin 1950, ku përfaqësuesit e Italisë, Gjermanisë, Francës dhe tre
vendeve të Beneluksit u mblodhëbn më 9 Maj 1950 në Romë dhe ajo ditë dhe
datë u konsiderua si dita e Evropës së Bashkuar.
Arkitekti i Bashkimit Evropian Robert Schuman ka qenë Ministër i Jashtëm i
Francës në vitet 1948-1952. Në vitin 1960 është zgjedhur President i Parlamentit
Evropian.
Pierre-Pandeli Simsia

Busti i Robert Schuman në qendër të Beratit
Pamje e pjesëshme nga Kalaja e Beratit