








Pavdekshmëria e një tenori...
Nga Pierre-Pandeli Simsia
Nje e-mail i ardhur ditët e fundit me ngacmoi ndjenjat për të kujtuar me dhimbje një
ndër tenorët më të mirë të Shqipërisë, të cilin fatkeqësisht, vdekja e
pamëshirshme e ndau shumë shpejt nga familja, njerëzit, shokët, miqtë e tij më të
afërt, RUZHDI KARAJ
Edhe pse unë në një moshë fare të re, në fundvitet 60-të e mbaj mend këngëtarin
pionier Ruzhdi Karaj të këndonte në skenën e Pallatit të Kulturës "Margarita
Tutulani" në Berat, i cili sapo kishte hyrë në udhën e gjatë dhe të bukur të këngës.
Në ato vite, duke u aktivizuar si këngëtar pranë Shtëpisë së Pionierit në qytetin e
Beratit, pionieri fare i ri në moshë Ruzhdi Karaj, i befasoi të gjithë me zërin e tij të
shkëlqyer, të pastër, të kthjellët, timbrik.
Jo vetëm në skenën e Pallatit të Kulturës që kishte çelur një gonxhe këngëtari dhe
po fillonte të shpërrthente, ndoshta më herët sa ç'duhej, por ai zë fëmije në atë
kohë "pushtoi" edhe studion e Radio Tiranës. Ishin ato vite, kur disa të diela me
radhë Radio Tirana në emisionin e pionierit të orës 8 të mëngjesit do transmetonte
edhe këngën e famshme, qe pati jehonë në ato vite "Gimi dhe topi" të kënduar
nga pionieri beratas Ruzhdi Karaj: "Babi Gimit i ka blerë / Një top t'vogël ngyrë
verdhë / Gimi ecën hop e hop / E rend topin mu në port / Gol, gol, gol gooooool!/
Gjithashtu edhe një këngë tjetër që pati jehonë në ato vite të largëta (fundvitet
60-të ishte edhe kënmga: "Libri, kazma, pushka" Atë këngë Ruzhdi Karaj do ta
këndonte me dy këngëtarë të tjerë, premtues për të ardhmen e tyre artistike,
Kozma Dushi dhe Luçjana Laçka: "Mik i fëmijëve jam / Emrin libër e kam / Mbi
bangë e mbi tryezë / Rri me ju pa përtesë / Sa herë më shfletoni / Fletët një nga
një / Mëndjen ua ndriçoni / Njerëzve gjithandej / Kazëm një copë metal / Do stolis
fushë e mal / Kodrat unë i ngjall / me tarraca shkallë- shkallë /...
Ruzhdi Karaj u rrit me skenën, me këngën në buzë. Duke parë një të ardhme të
shkëlqyer për të ardhmen tek këngëtari i ri Ruzhdi Karaj, kompozitorët beratas
Sotir Konçi, Asqeri Kadëna, Xhevdet Dervishi, Teki Luari... do ndjenin
përgjegjësinë e tyre profesionale ta linin atë talent, për ta lartësuar në skenën më
të lartë të artit shqiptar, Skena e Teatrit Shtetëror të Operas dhe Baletit (TOB).
Ruzhdi Karaj po rritej me këngën, me skenën, pa u ndalur asnjëherë. Si këngëtar i
mirëpritur i Estradës së Beratit dhe festivaleve të këngës që zhvilloheshin në
qytetin e Beratit, Karaj do të këndonte këngët më të vështira intonative, përkrah
tenorit tjetër të mirënjohur beratas Dhimitër Dushi.
Konkurimi për të studiuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, që në atë
kohë quhej Instituti i Lartë i Arteve, fitorja për tenorin e ri beratas ishte e
padiskutueshme.
Komisioni përzgjedhës mbeti me gojë hapur; po dëgjonin zërin e Luçjano Pavarotit
beratas Ruzhdi Karaj, po dëgjonin Mikelanxhelo Verso-n beratas Ruzhdi Karaj, po
dëgjonin Gaqo Çakon beratas Ruzhdi Karaj, po dëgjonin tenorin Nessun Dorma-n
beratas Ruzhdi Karaj, ...
Akademia e Arteve të Bukura në Tiranë do ta formonte tenorin e ri Ruzhdi Karaj,
një këngëtar lirik të sukseshëm, ku mund të konkuronte në skenat e mëdha
botërore.
Pas mbarimit të studimeve në Akademinë e Arteve të Bukura në vitet 80-të, tenori
beratas Ruzhdi Karaj i duhej asaj Akademie të punonte pedagog, i duhej TOB si
këngëtar, i duhej gjithë Shqipërisë për të konkuruar edhe në skenat e mëdha
botërore.
Me emërimin e tij në Tiranë, Beratit po i ikte një tenor i famshëm dhe për këtë
edhe mund të ndjente keqardhje, por ishte edhe nder që biri i tij beratas, kishte
arritur majat të larta dhe të susksesshme në art.Shumë pedagogë u kujtohet
kolegu i tyre Ruzhdi Karaj si njeri i vullnetshëm dhe me talent. Shumë ish nxënës
të Akademisë së Arteve nuk mund ta harrojnë ish pedagogun e tyre Ruzhdi Karaj,
që me thjeshtësi dhe ëmbëlsinë e zërit dhe shpirtit të tij u jepte kurajo talenteve të
rinj.
Shkëlqimi i zërit të tij do ndjehej edhe në TOB si këngëtar pranë atij teatri. Me
sopranon e mirënjohur shqiptare Marjana Leka, tenori Ruzhdi Karaj ka
interpretuar në opera të ndryshme. Kujtoj Operat "Traviata", "Rigoleto",
"Peshkatarët e Perlave"...
Suksesi i madh i tenorit lirik Ruzhdi Karaj në interpretimet në role të ndryshme të
operave më të njohura të kompozitorëve shqiptarë dhe të huaj do njihej edhe
jashtë kufijve shtetërorë, në skenat e huaja.
Papritur, një sëmundje e pashërueshme, që do befasonte dhe do trondiste artin
shqiptar, i merr jetën tenorit Karaj në moshën e tij 45 vjeçare, në një kohë kur
familja, fëmijët, arti shqiptar ... kishte nevojë më tepër se kurrë për të.
E kujtojnë me dashuri dhe dhimbje partnerët dhe kolegët e tij, Marjana Leka,
Mjeshtria e Madhe e Punës Edit Mihali, Sopranoja me famë botërore Inva Mula,
Gjergj Suljoti, Petrika Rëmbeci, Gjoni Athanas, Ylber Gjini, Shqipe zani, Agim
Duro...
Tenori Ruzhdi Karaj u nda shumë shpejt nga jeta, duke lënë pas bashkëshorten e
tij Mukades Karaj (Vojvoda) dhe dy fëmijët e tij Mario dhe Arbëri.
Tenori Karaj na mungon fizikisht, por ai ka lënë të pavdekshëm zërin e tij, veprën
e tij dhe atë zë me cilësi të larta vokale e teknike e ndjejmë përherë pranë, ndërsa
dëgjojmë "Këngët e pakëndueme", "Arien e Lekës nga opera Skënderbeu", Arien
e Lenksit nga opera ruse "Eugene Onegin", Arien nga opera"Il Faccendiere"...
Ruzhdi Karaj do të kujtohet përherë edhe si njeri me karakter dhe shpirt fisnik...
Fjalët dhe vlerësimet janë pak për të përshkruar këtë figurë të operës, i cili la
gjurmë të pashlyeshme në historinë operistike shqiptare.
Kam pasur fatin e mirë ta njoh nga afër Ruzhdiun, nga ku përfitoje cilësitë më të
mira dhe të virtytshme të një njeriu me shpirt dhe zemër të madhe, sa ç'ishte e
madhe vepra e tij artistike që Ai na la pas.


