Ditëlindjet e mija!

Nga Parashqevi (Tina) Stefa

Marre nga libri "Kostaq Stefa, Martir i Demokracise" shkruar nga Mesuesja e Popullit Eleni
Stefa dhe pjese nga rrefimet e femijeve te saj.
Mesuesja e Popullit Eleni Stefa
Ditëlindjet e mija!

Nga Parashqevi (Tina) Stefa

Marre nga libri "Kostaq Stefa, Martir i Demokracise" shkruar nga Mesuesja e Popullit Eleni
Stefa dhe pjese nga rrefimet e femijeve te saj.


A ka gjë më të dhimbëshme se ajo, që ditën kur ti mbush një vjeç, kur e gjithë familja pret të
festojë ditëlindjen tënde të parë, kur ti s'je veçse një foshnjë njëvjeçare, një pafajësi e gjallë
dhe ja pikërisht atë ditë, që do të ishte një ditë gëzimi i madh për familjen tënde, vjen lajmi
kobzi që atin tënd të shtrenjtë, kryetarin e familjes tënde, e kanë pushkatuar barbarisht, duke
qenë i pafajshëm dhe për mëse gjashtëdhjetë vjetë e lanë pa varr dhe pa emër! Që nga ajo
ditë, për ty s'do të kishte më ditëlindje, sepse ajo datë në familjen tënde do të thoshte
ditëvdekje e atit tënd tejet i pafajshëm.
Kjo më ndodhi mua, Tinës (Parashqevi Kostaq Stefa) fëmijës më të vogël të bashkëshortëve
Kostaqi dhe Eleni Stefa. U rrita pa njohur atin tim të shtrenjtë. U rrita pa përkëdheljet e tij, pa
thirrur njëherë fjalën e shtrenjtë "baba". U rrita duke patur në sy portretin e tij të ëmbël prej
shenjtori vetëm nga një fotografi e madhe aty, në dhomën e gjumit, ku flinim ne të dyja, unë
dhe nëna ime Eleni. Është ajo fotografi e fiksuar ditën e martesës së tyre. Qysh se isha
fëmijë, përditë rrija çaste të tëra duke e parë atin tim dhe më dukej se edhe ai vetë ishte aty
me mua. bashkëmoshtatarët e mi i kishin etërit e tyre, të cilët i sillnin çdo ditë në kopësht dhe
më vonë, në ditln e parë të shkollës ata ishin përsëri pranë fëmijëve të tyre. Kurse unë? Unë
kurrë s'do ta njihja atin tim të dashur.
Kur fillova të ndërgjegjësohem dhe të kuptoj se mungesa e atit tim vinte, sepse ishte shpallur
"armik" dhe ishte pushkatuar barbarisht nga diktatura komuniste shqiptare si "armik i
popullit", atëhere qendroja më shpesh para portretit të tij dhe e përlotur pyesja: "Pse të vranë
o baba?!"
Ai, me vështrimin e tij tejet të ëmbël sikur më thoshte: "Dije mirë moj bijë, kam qenë dhe
mbetem i pafajshëm!"
Për pafajësinë e tij isha e bindur nga fjalët e nënës sime, por atë m'a përforconin edhe më
shumë njerëz të ndryshëm, bashkëqytetarët tanë beratas.
Kanë kaluar shumë vjetë dhe ata njerëz kurrë s'i harrojmë; ndonëse nën zë, ata sikur ma
lehtësonin atë brengë kur më thoshin: "Vajza e Kostaqit je ti? Ah i shkreti Kostaq... iku kot..."
Dhe unë fëmija, shkoja në shtëpi, hyja në dhomën e gjumit, i afrohesha fotografisë, ku im atë
qendronte si një dhëndër i bukur, e puthja në buzë nga malli që s'e njoha kurrë dhe nga
dashuria.
Ditëlindjet e mija! E mjera unë, që s'u gëzova dot si duhej!
Ku ikët ju, ditëlindjet e mija nëpër vite?! Ju ikët pa u festuar. Për vite e vite të tëra në datën e
lindjes sime çdo 3 Mars, unë dhe e gjithë familja ime do ta "festonim" me dhimbje dhe lot,
datëvrasjen e atit tonë të shtrenjtë, që e kishin lënë pa varr dhe pa emër.
Në vitin 1993 atij iu gjetën eshtrat dhe sot varri i tij është në mes dëshmorëve, ku emri i tij
ndrit mes Martirëve të tjerë të Demokracisë, ku çdo ditëlindje time unë kam ku të shkoj të
vendos buqetën me lule të freskëta të vesuara nga lotët e vajzës së tij, që s'pati fatin ta njohë
kurrë.
Ndonëse unë nuk e njoha kurrë atin tim të shtrenjtë Ai jeton me mua dhe unë jam krenare, që
jam bija e Kostaq Stefës, Martirit të Demokracisë...!
Parashqevi (Tina Stefa)