







Vajza krijuese
(Tregim)
Nga Pierre-Pandeli Simsia
Ajo erdhi në qytetin e madh e të zhurmshëm metropolitan, në qytetin vezullonjës nga miliona drita, që nuk fle
kurrë, ku nata e magjishme në atë qytet gjigand ngjan me një qiell të pafund yjesh xixëllonjës.
Fytyra e saj shëndetligë ngyrë limoni e tregonin atë vajzë të kishte kaluar ndonjë sëmundje të rëndë në jetë
Të saponjohurit, duke parë shëndetin e lig të vajzës dhe duke dëgjuar vuajtjet e saja në jetë e afruan në
shoqërinë e tyre që jeta e kishte goditur pa mëshirë dhe padrejtësisht.
E porsaardhura pak njihej nga bashkatdhetarët e saj të shumtë në qytetin gjigand, banore e përhershme e të
cilit dëshironte të ishte edhe ajo, megjithëse dëshira e saj e zjarrtë ishte të njihej dhe të njihte shumë
bashkatdhetarë...
Askush nuk e dinte si kishte ardhur ajo në atë qytet të madh metropolitan; legale apo klandestine. Disa zëra
njerëzish thoshin se ajo kishte ardhur në atë qytet me të dashurin e saj të zemrës, të cilin, pasi kishin ndenjur
të dy një javë në hotel duke thurrur ëndrat e tyre për një jetë të re në një botë të panjohur më parë, vajza e
mrekulluar nga magjia e atij qyteti vezullonjës, e kishte braktisur të dashurin e saj. Arësyet nuk diheshin.
Tri valixhet dhe një çantë dore ishin pasuria e saj personale të sjella nga vendlindja. Mbante edhe një çantë të
vogël, e cila mbeti mister për një kohë të gjatë.
E parrahur me jetën e re të një vendi të madh, vajza mendonte se jeta në botën e lirë do t'i hapte shumë rrugë
në jetë. Nuk kishte gabuar dhe menjëherë hyri në kërkim të rrugëve të reja për të gjetur gjithshka. Asaj nuk i
interesonin ato gjithshkatë, ajo kërkonte vetëm dëshirën dhe ëndrën e saj të vjetër që vetëm ajo e dinte dhe,
për t'a realizuar atë ëndër të vjetër që i trokiste në ndërgjegjen e saj, vajza shpesh herë përdorte ato që mbante
brenda në çantën e vogël dhe të mistershme. Mendonte se ato ishin çelësi i çdo suksesi.
Ata pak bashkatdhetarë që e njohën në fillim, me veprimet që bënte iu dukej pak misterioze dhe e çudit;shme
ajo vajzë. Mënyra e të folurit dhe e të shprehurit të mendimeve të saja të linin të dyshoje, megjithatë
bashkatdhetarët fajin ua vishnin sëmundjes që kishte kaluar ajo vajzë.
- Unë jam e gjithanshme, pranoj të bëj çdo gjë në jetë...- fliste shpesh vajza e porsardhur, - por, talenti dhe
profesioni im i preferuar mbetet krijimtaria letrare.
Me dëshirën e saj për të qenë përherë e dashuruar dhe e pandarë me krijimtarinë letrare, e sapoardhura
kërkonte në atë qytet gjigand të botës së lirë të kapte në mënyrë të rrufeshme majën e saj të suksesit dhe për
t'ia arritur kësaj, ajo kërkonte çelësin kryesor, që për të ishin njerëzit e mediave, gazetat e komunitetit që
botoheshin në atë qytet gjigand.
"Nuk duhet humbur kohë, suksesi duhet të jetë i menjëhershëm" - mendoi vajza dhe u nis në rrugën e kërkimit
të qellimit dhe dëshirës së saj.
Në çantën e saj të dorës të mbushur me libra të vegjël, përmbledhje me disa nga krijimet e saja, e
porsaardhura mendonte që, përveç librave që do t'u dhuronte gazetarëve për t'i vendosur si reklamë në faqet e
gazetave të komunitetit nga do të përhapej dhe jehona e saj, pse jo, të shfrytëzonte edhe moshën e saj.
"E kush nuk do ta dëshironte ta joshte dhe shijonte trupin e një vajze 30 vjeçare beqare dhe," mrekullia do jetë
përherë në favorin tim, sikur njerëzit e mediave të jenë në moshë madhore"
Fillimi për vajzën ishte i mbarë dhe fati i mirë kaloi në anën e saj.
Një ditë takon në rrugë një bashkatdhetarin e saj, të panjohur më parë.
Ishte vërtet rastësi takimi i tyre i papritur, apo dikush e kishte rekomanduar vajzën për t'u takuar me
bashkatdhetarin? Këtë e dinte vetëm ajo.
- Më falni... zoti bashkatdhetar... gazetar... Më lejoni t'ju prezantohem. Më quajnë... Jam krijuese...
Burri, bashkatdhetari i panjohur me mirësjellje ndaloi hapin dhe iu përgjigj zgjatjes së dorës së saj.
- Kam kënaqësinë... të njihem me një gazetar...
- Më lini t'ju spjegohem. Unë nuk jam gazetar; profesioni im nuk ka lidhje fare me gazetarinë, por më pëlqen
dhe kam talent të shkruaj.
Vajza e dehur nga suksesi që e kishte takuar atë që po kërkonte dhe kishte kohë që po e mundonte nuk e
kishte mendjen çfarë po fliste ai, prandaj dhe nuk i dëgjoi fjalët e tija.
- Kam nderin... oh, më falni, ndjehem tepër e emocionuar, e gëzuar, megjithëse ne, krijuesit, nuk duhet t'i
pranojmë emocionet, ato janë pjesë e jetës sonë tani... Kam kënaqësinë e madhe të njihem me një ndër
gazetarët më të mirë të komunitetit...
Vazhdoi të fliste pa e lënë të saponjohurin t'i përgjigjej, hapi çantën e saj dhe nxorri një libër të vogël. - Ky është
botimi im i fundit. Kam kënaqësinë t'ua dhuroj juve i nderuar gazetar.
Burri, nga ajo e papritur e çuditëshme e morri librin, i hodhi një shikim kapakut të librit, lexoi titullin dhe emrin e
autores. Shfletoi shkujdesshëm fletët e librit pa i kushtuar rëndësi se çfarë mund të ishte shkruar brenda dhe,
pa e parë atë në sy e pyet: - I lexoni shkrimet e mija që botohen nganjëherë në gazetën e komunitetit? Besoj se
do t'ju ketë pëlqyer shkrimi im i ditëve të fundit, kam marrë urime për atë shkrim.
Ajo, me një buzëqeshje të shtirur, lëvizi pak gjoksin para, duke i dhënë një lëvizje të lehtë trupit, me një shikim
lozonjar vajzëror i tha: - Gazetari ynë i nderuar, duhet të dini vetëm një gjë; jeni tepër i talentuar dhe shumë i
njohur në komunitetin tonë, shkrimet tuaja janë ndër më të pëlqyerat...
- Më fal, - e ndërpreu burri. Ndjeu neveri nga ato fjalë të tepërta që po dëgjonte nga një vajzë e saponjohur. -
Nxitoj, më duhet të iki - dhe i zgjati dorën për ta takuar.
Vajza u befasua dhe u ndje e ligësht. Edhe pse nuk e mendonte një përgjigje të tillë nga burri, vazhdoi me të
njëjtën buzëqeshje të shtirur dhe lëvizje të lehtë të trupit - Oh, ju të më falni mua i nderuar gazetar; nuk dua t'ju
pengoj në punën tuaj fisnike që bëni në shërbim të komunitetit. Ndjehem shumë e lumtur që j'u takova dhe j'u
njoha... - I zgjati edhe ajo dorën për ta takuar, duke e parë ëmbëlsisht në sy.
Burri ktheu trupin dhe eci disa hapa. Nga pas dëgjoi një zë: - Zoti gazetar, zoti gazetar! - Ktheu kokën. Vajza e
saponjohur ishte shumë pranë tij. - Zoti gazetar, më falni... harrova t'ua nënshkruaj librin.
Burri, që e mbante në dorë librin ia dha. Ai po shihte se si ajo, me kënaqësi dhe me duart që po i dridheshin
shfletoi kapakun e librit dhe filloi të shkruajë në fletën e bardhë të tij: "...gazetarit tonë të nderuar, të mirënjohur
dhe shumë të suksesshëm të komunitetit tonë..."
Ia dha përsëri librin dhe pa pritur që tjetri ta falenderonte me të njëjtën kënaqësi i tha: - Ju lutem, mund ta kem
edhe unë numrin tuaj të telefonit?
Burri nuk foli, futi dorën në xhepin e brendshëm të xhaketës: - Në këtë kartën e biznesit tim janë të shënuar
numrat e telefonit, i shtëpisë dhe mobile.
Vajza sa nuk fluturonte nga gëzimi. I dha një përshëndetje falenderimi me mirësjellje që i la burrit të kuptojë se
miqësia midis tyre do të vazhdonte edhe në ditët në vazhdim.
" Pak të çuditëshme janë nganjëherë veprimet e disa njerëzve që merren me krijimtari letrare..." - mendoi ai.
"Nganjëherë, ndjenja e të vetëkënaqurit të bën të humbësh kontrollin ndaj logjikës së të komunikuarit..." - Atij iu
duk se në këto mendime përfshiu edhe veten e tij, meqenëse merrej me shkrime...
Pas njohjes me "gazetarin" gjendja e gëzuar shpirtërore e vajzës ndikoi edhe në pamjen e saj të jashtëme të
ndryshonte. Kënaqej shumë kur qendronte para pasqyrës dhe shihte veten e saj në anën tjetër të saj. I dukej
vetja më e shëndetshme. Edhe pa përdorur pudrën dhe kremin, fytyra i dukej se po i ndryshonte gjyrë. Ngjyra e
limontë e fytyrës i kishte ikur...
Kishin kaluar disa ditë që ishte njohur me "gazetarin"; ndjehej e trishtuar. I dukej se ai e kishte harruar atë. Ai
nuk i kishte dërguar asnjë zile telefoni edhe pse ajo ia kishte shkruar numrin e telefonit të saj në fund të
nënshkrimit në libër. Heshtjes së tij ajo nuk mund t'i përgjigjej me të njëjtën heshtje. Filloi t'i dërgonte zile
telefoni të shpeshta, duke e joshur me fjalët e saja të ëmbla femërore. Nuk kaloi shumë kohë dhe midis tyre u
krijua një shoqëri, "një miqësi e përhershme", do ta quante ajo, e cila ra shumë në sy edhe tek të njohurit e
tjerë. Bashkëshortja e burrit nuk e pëlqeu atë shoqëri me atë vajzë krijuese. Të drejtën për të dyshuar për
bashkëshortin e saj e kishte edhe ajo, kur shihte nganjëherë veprimet lozonjare të vajzës, (i kishte shkuar disa
herë në shtëpi si kolegë) pavarësisht se ata të dy burrë e grua kishin shumë vite martesë dhe kishin rritur dhe
edukuar tre fëmijë të lumtur, megjithëse vajza me zgjuarësinë e saj dinte të sillej kujdeshëm edhe me
bashkëshorten e tij. Megjithatë dyshimet vinin dhe vallëzonin në mendjen e saj edhe pse nuk i shkonte mendja
se bashkëshorti i saj mund ta tradhëtonte për vetë moshën që kishte ai, por mosha 30-të vjeçare e vajzës sikur
ia fshikte atë mendim.
Në kafenenë, pronar i së cilës ishte një bashkatdhetar, disa klientë me gazetën e komunitetit në duar, bënë
që vajza dhe "gazetari" të ishin qendra e bisedës.
Në faqen kryesore të gazetës ishte botuar një shkrim për vajzën krijuese, shoqëruar edhe me foton e saj,
shkruar nga "gazetari". Gojëkeqët filluan e të flisnin...
Vajza nuk ua vinte veshin atyre çfarë mund të flisnin; asaj i interesonte qellimi i saj.
Si fillim, ngritje si me katapultë, ajo kishte kapur majën e suksesit që e mendonte, por ai sukses nuk duhet të
ndërpritej; majat e sukseseve duhet të jenë të njëpasnjëshme. E dehur nga ai gëzim i papritur dhe shumë i
vlerësuar për vajzën, dalja e fotos së saj në gazetë dhe një shkrim dedikuar asaj, e bënë atë të
pakontrollueshme në veprimet e saja me njerëzit, veçanërisht me njerëzit e letrave.
Për çudinë dhe habinë e të gjithë atyre që i njihnin, miqësia e tyre nuk vazhdoi gjatë, pësoi një çarrje të fortë,
deri në ndarje të përhershme.
"Gazetari" e kishte kuptuar me kohë, kur ajo, shpesh herë në komunikimin me të përdorte ato çfarë ishin
brenda asaj çante të vogël të mistershme. Ato veprime të saja atij nuk i pëlqenin, madje për karakterin e tij të
pastër mund të ishin edhe shkaku i një prishje të miqësisë, por ndarja e vërtetë e tyre kishte ardhur nga vetë
vajza krijuese. Ajo ishte ndjerë e zhgënjyer me veten për qellimin e saj. I kishte përdorur kot ato "materialet e
mistershme" të nxjerra nga çanta e saj e profesionit ndaj atij njeriu që nuk paska lidhje me gazetarinë...
"Nuk punoj në gazetë" - i kishte thënë ai. - Unë shkruaj për komunitetin në ndihmë të komunitetit vullnetarisht.
Këtë ta kam thënë që në ditën e parë të njohjes..."
Vajza kishte shprehur habi dhe zhgënjim, donte të largohej sa më parë nga ai njeri, që nuk punonte gazetar në
gazetë. Miqësia e tyre u thye njëherë e përgjithmonë.
Si gjithmonë me çantën e saj të vogël e të mistershme, vajza u nis përsëri në udhën e saj kërkimore për të
gjetur miq të përhershëm për ta ndihmuar në ngritjen e emrit të saj si krijuese. Një ditë u gjend në redaksinë e
gazetës së komunitetit. Donte të takonte në fillim kryeredaktorin e gazetës; po edhe një gazetar i thjeshtë,
mjafton të ishte gazetar, punonjës në atë gazetë. Nuk e njihte kryeredaktorin. Ai ishte një burrë i gjatë, thatim me
flokë të verdha dhe pak të rëna. Sytë i kishte pak të dala nga foleja e tyre. Pozicioni i tij në punë i kishte dhënë të
"drejtën" të ishte serioz dhe autoritar në detytrën e tij ndaj kolegëve të tjerë gazetarë. Tregonte një kulturë
profesionale të vjetëruar e të trashëguar nga atdheu i tij. Për t'i dhënë edhe më tepër autoritet personit të vet,
shpesh herë mundohej të ishte "korrekt" në detyrën e tij. Nxehej shpesh dhe pa shkak me kolegët e tij.
Mundohej të gjente ndonjë shkak të vogël në punë për t'u folur ashpër dhe me ton të lartë. Ngjyra e fytyrës i
skuqej edhe më tepër, duke i marrë ngjyrë të trëndafiltë dhe sytë e tij ngjyrë hiri i merrnin një zbardhje të
theksuar. Prandaj dhe kolegët e tij të punës mes tyre me njëri tjetrin e thërrisnin "sy macja"
Paraqitja e tij e jashtëme dhe tryeza e tij e punës ku ishte vendosur në anën e djathtë, pas derës hyrëse të
sallës së madhe të redaksisë, vajzës, kur ajo hyri dhe e pa, nuk i dha mundësinë të mendojë se ai do ishte
kryeredaktori. Në sallë ndodheshin edhe gjashtë punonjës të tjerë të ulur në tryezat e tyre të punës. Në tryezën
përballë, rrinte ulur një burrë i pashëm rreth të 45-ave me flokë e sy të zinj.
Me buzëqeshjen e saj të shtirur dhe me një mirësjellje për ta pasur zili, vajza eci drejt tij. "Sigurisht, ky duhet të
jetë kryeredaktori" - mendoi.
Kur kishte hyrë brenda e kishte parë burrin bjond në anën e djathtë që rrinte i përqendruar pranë kompjuterit
dhe ajo i kishte hedhur një shikim shpërfillës, për vetë pamjen e tij të jashtëme. U përshëndet me burrin e
pashëm dhe menjëherë filloi të flasë, duke përdorur materialet e marra nga ajo çanta misterioze. Mbeti e
zhgënjyer, madje u hidhërua shumë, kur mësoi se bashkbiseduesi nuk ishte kryeredaktori ai që dëshironte ajo
të takonte.
Ishte mjeshtre në ndërimin e buzëqeshjeve dhe shprehjeve të fytyrës së saj. Kishte filluar t'i përdorte edhe më
shpesh, kur dikush i kishte thënë: "Të shkojnë shumë shakatë..."
Kryeredaktori vazhdonte të lëvizte gishtat e tij në tastierën e kompjuterit dhe të shikonte në ekran atë çfarë po
shkruante, ndërsa ajo qendronte në këmbë, përballë tij.
- Zoti Kryeredaktor; të më falni për ndërhyrjen dhe shqetësimin në punën tuaj; edhe vetë nuk e dëshiroj një
gjë të tillë të pengoj njerëzit në punën e tyre, veç kam nderin dhe mirësinë, t'ju dhuroj tre nga librat e mi të
botuar, madje ky, është botimi im i fundit. Librat i la mbi tryezën e tij të punës.
Kryeredaktori i hodhi një shikim të shpejtë vjedhurazi dhe, pa folur vazhdoi të shkruajë. "E çfarë mund të lexoj
unë në ata libra... të vegjël" - mendoi.
Ato fjalë që i mendoi, pa dashur i shkruajti edhe në materialin e gazetës në kompjuter.
U nervozua shumë, donte ta largonte, madje donte t'i fliste me ton të ashpër dhe të lartë, siç e kishte zakon, por
u përmbajt. Nuk e zgjati shumë dhe për ta larguar i tha: - leri aty dhe, më falni, por kam shumë punë tani...
- Ju kuptoj i nderuar zoti kryeredaktor dhe për këtë j'u kërkojë ndjesë, veç të lutem... kur të kesh kohë të lirë
mund t'i lexosh dhe besoj se do t'ju pëlqejnë çfarë është shkruar brenda.
Kryeredaktori përsëri i hodhi një shikim të shpejtë njërit prej kapakut të librave dhe diçka iu kujtua: - Nuk ka
shumë kohë që gazeta jonë ka shkruar për ju dhe...
- E di zoti kryeredaktor dhe për atë çfarë keni bërë j'u jam tepër mirënjohëse dhe j'u falenderoj shumë,
gazetën tonë të komunitetit dhe ju personalisht si kryeredaktor i saj.
- Faleminderit - iu përgjigj ai me zë të ulët pa e parë në sy, duke vazhduar të shkruajë. Ajo e kuptoi
mosdëshirën e tij për bisedë në ato çaste.
U largua nga ai dhe shkoi edhe në tryezat e tjera për t'i dhuruar gazetarëve të tjerë libra të saj.
Në ditët në vazhdim, për habinë e të gjithëve, u mësua se, midis kryeredaktorit dhe vajzës 30-të vjeçare ishte
krijuar një miqësi e ngushtë. Edhe vetë punonjësit e asaj gazete nuk e mësuan dot "Pse- në" e asaj miqësie
aq të rrufeshme. Ata dinin vetëm këtë se, në çdo pesë - gjashtë numra të gazetës, kryeredaktori urdhëronte të
botoheshin pjesë të shkëputura nga krijimet e vajzës.
Edhe një pjesë njerëzish, lexues të gazetës, nuk po i pëlqente kjo që po ndodhte me gazetën e komunitetit.
Interesimi për të lexuar gazetën po zbehej, gjë që ndikoi në rrënien e numrit të shitjeve të saja. Punonjësit e
gazetës të shqetësuar shumë për këtë që po ndodhte me gazetën, duke parandjerë se falimentimi i saj mund
t'ë rrezikonte edhe të ardhmen e tyre në punë, kërkuan që kjo praktikë të ndërpritej menjëherë. - Po vazhdoi
kështu gazeta të mos shitet, do mbetemi pa punë... Po na merr më qafë symacja... - pëshpërisnin me njëri
tjetrin punonjësit.
Kjo praktikë e kryeredaktorit vazhdoi më shumë se gjysëm viti. Nga rrënia e shitjes së gazetës, dy punonjës u
shkurtuan nga puna. Botuesi i gazetës u alarmua për atë katastrofë që e priste gazetën e tij dhe që po shkonte
drejt humnerës. Për gjendjen e rëndë të krijuar në gazetën e tij botuesi fajësoi kryeredaktorin dhe pa u thelluar
shumë, e pushoi nga puna.
Lajmi i largimit të kryeredaktorit nga gazeta u përhap rrufeshëm në mbarë komunitetin. Disa pëshpërisnin,
shpesh herë kryeredaktori, përveç punëve të tjera..., merrte edhe para nën dorë nga krijuesit amatorë, vetëm
për t'u botuar shkrimet e tyre në faqet e gazetës.
Largimi i kryeredaktorit nga gazeta shqetësoi shumë edhe vajzën krijuese. Duhej gjetur një situatë e re. Si vajzë
e zgjuar që ishte mendoi të veprojë si gjithmonë në favorin e saj. Përherë i vinin në ndihmë ato çfarë ishin
brenda asaj çante misterioze.
Largimi i kryeredaktorit nga gazeta ndërpreu njëherë e përgjithmonë edhe miqësinë e tij me vajzën. Ish
kryeredaktori këtë nuk e priste kurrë, për vetë miqësinë që kishte krijuar me atë vajzë. Ai i kishte dërguar disa
herë zile telefoni, ndërsa ajo asnjëherë nuk i ishte përgjigjur. Kishte rastisur disa herë që ata të dy të shiheshin
dhe të ndodheshin përballë njëri tjetrit në rrugë, por ish kryeredaktori tani për vajzën ishte një njeri krejt i
panjohur, madje i neveritshëm...
Valixhet e vajzës të sjella me teshat personale nga atdheu i saj në atë qytet gjigand metropolitan u zbrazën,
sapo ajo u sistemua në apartamentin për të banuar, ndërsa ajo, çanta e vogël e mistershme mbeti përherë e
pazbrazur edhe pse vajza e përdorte shpesh në biseda dhe njohje të ndryshme në miq dhe shokë.
Ajo çantë misterioze ishte pjesë e pandarë e jetës së saj. Nuk mund të jetonte dot pa të. Aty brenda ndodhej
shpirtushqyesi i saj për të komunikuar me njerëzit.
Me ardhjen e kryeredaktorit të ri në gazetë vajza përsëri u nis në redaksinë e gazetës së komunitetit, sigurisht,
me çantën e saj misterioze, të takonte gazetarët dhe të njihte kryeredaktorin e ri.
Vallë, a do kishte atë sukses të madh me kryeredaktorin e ri të gazetës si me kryeredaktorin e parë? Këtë ajo e
shpresonte. Shpresonte gjithmonë në arritjen e suksesit të saj, përderisa përdorte ato çfarë ndodheshin
brenda çantës së saj të mistershme: Lajkat, gënjeshtrat, mashtrimet, hipokrizitë, ngritjen e lavdisë së emrit të
saj si krijuese letrare...
Mirëpo ajo pësoi zhgënjimin më të madh nga ato që mendonte. Kryeredaktori i ri i gazetës ishte një djalë me
kulturë të lartë profesionale. Ishte 30-të vjeçar, sa vetë mosha e saj.
Një fejton shkruar nga vetë kryeredaktori kushtuar vajzës dhe botuar në gazetë, ishte "shpërblimi" që ai i dha
asaj, pas disa vizitave që vajza i bëri në redaksi, në tryezën e tij të punës me çantën e saj misterioze.
Që nga ajo ditë, vajza nuk e shkeli më kurrë derën e redaksisë së gazetës.
Shumë shpejt gazeta u bë, siç ishte edhe më parë, e pëlqyeshme, madje edhe më e lexueshme në komunitet.
Kërkesat për ta lexuar dhe numri i shitjes së saj u rrit ndjeshëm.
Me rritjen e numrit të shitjes së gazetës edhe dy ish punonjësit e shkurtuar u rikthyen përsëri në punë, ndërsa
vajza me çantën e saj, do të jetë nisur, kush e di në ç'rrugë, për të gjetur shokë dhe miq të tjerë, për të ngritur
emrin dhe lavdinë e saj si krijuese letrare.