






Me "Njëshin" dhe artistët e tjerë shqiptarë në mbrëmjen e 1
Janarit 2008 në Nju Jork
Nga Pierre-Pandeli Simsia
Komuniteti Shqiptar i Nju Jorkut dhe shtetet përreth tij kishte kohë që ishte njohur me njoftimet
dhe reklamat për të festuar festat tradicionale të ndërrimit të viteve. Mirëpo edhe ato, reklamat e
kanë të "keqen" e tyre, sepse dashje pa dashje vihesh në siklet; është e vështirë për të vendosur
se në cilin prej lokaleve të shumta që ndodhen në qytet-shtetin e stërmadh të Nju Jorkut do të
kalosh njërën prej dy netëve, 31 Dhjetor dhe 1 Janar (Kujt ia mban xhepi dhe ka dëshirë mund të
vendosë për t'i kaluar këto dy netë në lokale të ndryshme, pavarësisht çmimeve të kripura që të
ofrojnë... Po njëherë vjen viti i ri dhe njerëzit kanë nevojë të argëtohen, të takohen me njëri
tjetrin...)
Përveç këngëtarëve të talentuar që jetojnë sot në Nju Jork në këtë muaj fundviti festash vijnë
edhe këngëtarë dhe artistë të tjerë shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi për të
na argëtuar. Kjo e bën edhe më të "sikletshme" për të vendosur se ku duhet të shkosh.
Nga shokë e miq të ndryshëm kemi mësuar se në të gjitha ato lokale ku artistët-këngëtarët
shqiptarë u gjendën në mes komunitetit tonë me muzikën dhe humorin e tyre, programi i tyre
muzikor dhe kënaqësia e bashkatdhetarëve ka qenë mbresëlënëse.
Kështu ndodhi edhe në mbrëmjen e datës 1 Janar 2008 në Lokalin luksoz "ORION PALACE" në
2555 McDonald Avenue në Brooklyn, Nju Jork , organizuar nga Alb Party NYC.
Bashkatdhetarë të shumtë të ardhur nga të gjitha trojet shqiptare mbushën sallën e madhe gati
njëmijë vendëshe plot.
Ajo që të linte përshtypjen e parë të mirë, sapo hyje në derën kryesore të lokalit ishte
kontroll-sigurimi i lartë për çdo hyrës.
Organizatorët e asaj mbrëmjeje vëllezërit Myslim dhe Bashkim Hoxha ishin ata që na prisnin dhe
na uronin Mirëseardhjen dhe fjalët "Gëzuar Vitin e Ri 2008".
Sallë e madhe, skenë e bukur, vend kërcimi i bollshëm, menu ushqimi e pasur, pije dhe ushqim të
bollshëm...
Bashkatdhetarë të shumtë hyjnë grupe-grupe dhe zenë vend pranë tryezave sipas numrit që tregonte bileta hyrëse.
Shumë shpejt salla e madhe u mbush plot, plot. Epo dihet... kemi ardhur të gëzojmë e të kënaqemi; të shohim, të
dëgjojmë, të shijojmë Artin tonë të bukur Shqiptar, kemi ardhur të shohim e të dëgjojmë njëshin... Njëshi?! Po po, njëshi!
A thua vallë vërtet "Njëshi" i mblodhi gjithë këta bashkatdhetarë?!
Ajo nuk diskutohet... Ne për atë kemi ardhur... Prandaj dhe vendosëm të vinim sot këtu... "Ne kemi ardhur sonte këtu
nga Connecticut vetëm për "Njëshin" do shpreheshin një grup bashkatdhetarësh... Dikush kishte bërë shaka: "Njëshi"
nuk do jetë për festat, ndodhet në Shqipëri...
Po "Njëshi" vetë? Ja ta shohim... Çfarë të reje na ka sjellë pas suksesit të madh të fundit...
Filluan tingujt e ëmbël të instrumentistëve të njohur të Grupit "KASTRIOTI" Dritan Papa, Murat Rama, Bardhyl Graba
për të na shoqëruar në mezetë e para të porsafilluara.
Jemi shqiptarë dhe "ushqimi" ynë më i preferuar është muzika, argëtimi i shpirtit tonë. Në pak sekonda ai vend i madh
vallzimi u bë shumë i ngushtë dhe i vogël, duke u "pushtuar" nga bashkatdhetarët. Kërcenim dhe hidhnim hapin sipas
tingujve dhe ritmit të muzikës. Sa bukuri! Sa lumturi! Shqipet shqiptarë vallëzonin në natën e parë të Vitit 2008. Femra
dhe meshkuj të të gjitha moshave nuk donin për asnjë çast të ndalonte muzika e ndryshme shqiptare dhe, kishin të
drejtë.
Mes tingujve të zjarrtë të orkestrinës në skenë shfaqet këngëtari i talentuar dhe i mirënjohur Gëzim Nika.
Edhe sikur vetë Gëzimi të mos e kishte në program këngën e tij hyrëse, ishin vetë të pranishmit ata që ia kërkuan
njëzëri: "Shqipëri o Nëna ime, "Shqipëri o Nëna ime".
Buzëqeshja e vetë Gëzim Nikës ishte edhe aprovimi nga ana e tij që ajo këngë do të këndohej. E bashkë me Gëzimin
do këndonim të gjithë së bashku atë këngë-himn me vargjet e Naimit tonë të madh: "O malet e Shqipërisë, e ju o lista e
gjatë...", duke vazhduar me këngë të tjera nga trevat e ndryshme shqiptare; me këngën "Kush e kërcen Napolonin",
"Ke Ura e Shijakut", Putpuri shkodrane, Këngën "Vallja e Rugovës"...
Personeli i shërbimit ishte pothuajse i tëri i huaj. Tingujt e bukur të muzikës shqiptare i elektrizuan edhe ata, që disa
herë të mbeteshin të "hutuar" pas këngëve tona?!
Duartrokitjet dhe gëzimi nuk kishin së pushuari, kur pas Gëzim Nikës në skenë u ngjit humoristi ynë i mirënjohur Koço
Devole. Edhe pa folur vetë Koço-ja, pjesëmarrësit e dinin se çfarë humori do të sillte Ai, prandaj edhe prisnin të qeshur.
Të flasësh për humorin e Koço Devoles është pak, sepse është vetë Koço-ja i madh që di të bëjë dhe të shpërndajë
humor tek ç'donjeri.
Disa gra të moshuara që e ndiqnin nga tavolinat e tyre ku rrinin ulur e uronin: "Rrofsh Koço, na kënaqe. Kishim kohë
që na mungonte humori shqiptar...
Pasi mbaroi humorin, Koço-ja, në sallë shpërtheu një lëvizje njerëzish.
"Njëshi, Njëshi, po vjen Njëshi... Të gjithë kthyen kokat nga hyrja e sallës
që ishte përballë me skenën. Vendi i vallëzimit u mbush menjëherë plot
me njerëz, ndërsa orkestrina filloi tingujt e saj. U dëgjua zëri i "Njëshit" të
këndojë...
Po ku është?
E ku mund ta dalloje dot mes gjithë atyre njerëzve...?
Mes njerëzve të shumtë u shfaq "Njëshi" me mikrofon në dorë. Ajo, diva,
"Mbretëresha e Këngës Shqiptare", e paharritshmja deri më sot, Aurela
Gaçe.
Fishkëllima, duartrokitje, përqafime me këngëtaren, shkrepje aparatesh
të shumtë fotografikë, të gjithë fytyrëqeshur, ndiqnin Aurelën e madhe
në ç'do hap. E rrethuan, vunë në mes, ndërsa Ajo, vazhdonte të
këndonte dhe vetëm të këndonte. Jam mëse i bindur që vetë Aurela në
ato çaste do të jetë ndjerë më e lumtur se ndonjëherë tjetër për
dashurinë dhe respektin që treguan bashkëkombasit e saj për të, ashtu
siç u ndjemë të gjithë ne të emocionuar, të gëzuar në atë botë ku ishim
futur të gjithë së bashku me artisten e madhe dhe artistët e tjerë
shoqërues të saj.
Aurelën, lëre vetëm të këndojë. Ajo e di vetë se ku do "fluturojë", në të
gjitha krahinat shqiptare për të na sjellë muzikën e Atdheut tonë.
Ç'farë shpirti ka vallë ajo artiste që nuk di të lodhet kurrë ndonjëherë së
kënduari?"
Ç'farë zëri ka vallë Aurela jonë që nuk di të stonojë kurrë, asnjëherë
edhe në intonacionet më të larta të këngëve të ndryshme?!
Ç'farë veshi të mprehtë muzike ka vallë vlonjatja e zjarrtë që i di t'i marrë
dhe t'i interpretojë të gjitha këngët e ndryshme popullore nga të gjitha
krahinat e Shqipërisë?
Atë e di vetëm ZOTI i Madh që ia ka dhuruar të gjitha ato veti asaj.
Aurela Gaçe sot për sot është këngëtarja e paharritshme, Mbretëresha
e Këngës së bukur shqiptare.
Pasi këndoi e këndoi pa ndërprerje, mendoi të na bënte të papriturën
(surprizën).
Mënyra se si Ajo na e paraqiti atë të papritur, pothuajse, të gjithë
menduam se do ishte ndonjë e papritur nga jeta e saj private...
E papritura ishte vërtet nga familja e saj, kur Aurela e gëzuar prezantoi
përpara bashkëkombasve të shumtë motrën e saj këngëtare, Blerta
Gaçe.
E qeshur si vetë motra e saj Aurela, por me një pamje të jashtëme krejt
tjetër si e motra, ngjitet në skenë Blerta, Blerta Gaçe!
Dy motrat artiste filluan të këndojnë së bashku këngë të ndryshme
popullore. Ishte si një ndezje "fitili" për të arritur në shpërrthimin e
"dinamitit".
Dhe ato të dyja vërtet shpërrthyen. Shpërrthyen me zërin e tyre të fortë
e melodioz; e bashkë me 'to, shpërrthyem të gjithë së bashku duke
kënduar e kërcyer.
Ishte vërtet një koncert i paharueshëm, mbresëlënës, i paparë
ndonjëherë.
Blerta Gaçe në mbrëmjen e 1 Janarit 2008 përkrah motrës së saj Aurela,
dha maksimumin e saj si artiste-këngëtare e afirmuar dhe profesioniste.
Edhe pse ora po afronte 3 e mëngjesit, ora e mbarimit të programit,
njerëzit sikur nuk donin të largoheshin nga ai ambient i shkëlqyer artistik
shqiptar.
Faleminderit organizatorët e asaj mbrëmjeje të bukur të Alb Party NYC,
Myslim dhe Bashkim Hoxha.
Faleminderit Grupit Muzikor "Kastrioti"
Faleminderit Këngëtarëve Gëzim Nika, motrat Gaçe dhe humoristit Koço
Devole.
Faleminderit pronarit dhe gjithë personelit shërbyes të lokalit luksoz
"ORION PALACE"
Gëzuar Vitin e Ri 2008 gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen.







Aktori i mirënjohur i humorit Koço Devole
E paharritshmja, këngëtarja Aurela Gaçe
Dy motrat Blerta dhe Aurela Gaçe
Organizatori i mbrëmjes Bashkim Hoxha
Këngëtarja Blerta Gaçe
Dy motrat Gaçe që na dhanë kënaqësinë e
madhe në mbërmjen e 1 Janarit 2008
Grupi Muzikor "Kastrioti" Murat Rama, Dritan Papa, Bardhyl Graba
Këngëtari i mirënjohur Gëzim Nika
Mbrëmje madheshtore e organizuar nga Alb Party NYC me rastin e vitit të ri 2008
|
Shpreheni
Mendimet
tuaj për këtë
mbrëmje!