Pierre-Pandeli Simsia është lindur më 21 Qershor 1960 në qytetin e lashtë dhe historik 2500
vjeçar të Beratit. Në vitet e shkollës së mesme ka qenë shumë i apasionuar për të shkruar
poezi dhe sidomos tekste këngësh. Në atë kohë disa nga poezitë e tij u bënë këngë dhe u
kënduan në festivale... Pas shembjes së komunizmit Pierre-P.Simsia emigroi në Evropë dhe
më vonë në SH.B.A. Ka shkruar rregullisht në shtypin e Diasporës Shqiptare dhe në shtypin e
pavarur në Shqipëri.

Në vitin 2005 Pierre-Pandeli Simsia doli para lexuesit me vëllimin me tregime "Le të jem unë
Zamira", botuar në Shtëpinë Botuese "ARBËRIA" në Tiranë. Promovimi i librit u bë në sallën e
Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë në Tiranë.

Një vit më vonë, Simsia doli përsëri para lexuesit me Romanin "Një dashuri e vrarë" botuar nga
e njëjta Shtëpi Botuese "ARBËRIA" promovimi i të cilit u bë në një nga sallat e Bronx House në
Bronx të Nju Jorkut, organizuar nga Organizata e Gruas Shqiptaro-Amerikane "Motrat Qiriazi"
Të dy librat e shkruara nga Simsia janë pritur mirë nga lexuesit e shumtë dhe janë vlerësuar
nga kritika letrare.

Pierre-Pandeli Simsia ka në proces botimi edhe disa libra të tjerë.
Që nga viti 1997 jeton dhe punon në Nju Jork, SH.B.A.



Triptik poetik nga Pierre-Pandeli Simsia



Nënës sime!

Shumë vite kanë kaluar,
Shumë vite që më mungon,
Preherin tënd e ndjej pas ngado,
Fjalën ‘’Nënë’’ buza nuk ma thotë.


Për fjalën “Nënë” buza më është tharë,
Të them dhe unë Nënë, sa mall kam.
Të kem nënën time, ta puth, t’a përqafoj,
Dhimbjet e jetës, puthja e saj të mi largoj.

Për fjalën “Nënë” buza më është tharë,
S’ka dashuri në botë, që buzën të m’a lag.

Ti ishe nënë, prind kur u shuajte.
Unë fëmijë, kur ndjeva atë dhimbje.
Tani jam prind si ti atëhere,
Malli më ngacmon: ‘’Ku je nëna ime’’!

Edhe pse tani jam burrë,
Baba i fëmijëve sot unë jam.
Dhe pse kam dy djem si yje,
Fjalën ‘’Nënë’’ askush s’ma zëvendëson.

Për fjalën “Nënë” buza më është tharrë
S’ka dashuri në botë që buzën të m’a lag.

Kush humb nënën humb pasuritë,
Dashuria për nënën i kalon kufijtë.
Përkëdhelitë, ledhatimet, mbeten veç kujtime,
Dora e ngrohtë e nënës mposht çdo dhimbje.

***

Atit tim!

Baba!
Katër gërma, dy rrokje, një fjalë.
Emër i parë i belbëzuar,
Emër, që veç dashuri mban.

Të këndoj për ty baba
Sa shumë dua, kam dëshirë.
Do mjaftojnë vallë këto vargje
Ta përshkruaj urtësinë?

Fjalën e ngrohtë, dashurinë,
Si ushqimin tim të parë
M’a mëkove që n’fëmijëri
Që të bëhem djalë i mbarë...

Buzëqeshja jote e ëmbël,
Rrudhat e tua përmbi ballë,
Trupi yt i gjatë, i imët
Ç’më mungojnë, shum’ vjet’ pa i parë...

Malli per ty ç’më trishton,
Në zemrën time vjen troket.
Furrtunë dhimbjesh kam kaluar,
Si Zgalemi përmbi det.

Ti jetim baba, u rrite.
Fjalën “Baba” buza s’ta shijoi.
Ishe vetëm foshnjë gjashtë muajsh
Kur vetë jeta të dënoi.

Dhe kur prap jeta t’goditi
Atëherë, kur pa grua të la,
Zemra jote si duroi?
Veç këtë s’ma the baba!

Nënë e babë ti u bëre,
Vjehërr dhe vjehrrë, gjysh edhe gjyshe.
Veç dashuri shpirti t’buronte,
S’kishte si të ndodhte ndryshe.

Dhe kur vij tek ti të shmallem
“Dhuratëa nga larg un’ ty të sjell.
Lotë, dhimbje, dashuri, mall...,
Lule mbi varr, një qiri të ndez.

***

Per nënën tonë

Rruaza kristal loti faqet t'i kanë lagur,
Po të shoh me mall, po m'dukesh e plakur!

Ballin tënd të bukur rrudhat kanë mbuluar,
Në çdo thinjë floku, shoh një plagë lënduar!

Buza pse të dridhet, fjalët dot s'të dalin
Bukuria jote, ku ka shkuar vallë?

Zemërpërgjëruar duart po m'i shtrin
Të më marrësh pranë, të të puth gjinë.

Ndjej erën e mëmës, zemrën që po rreh,
Ndjej lotin e saj, faqet ç'po m'i vret.

Po përse moj nënë qan edhe vajton?
Buza pse s'të qeshet, syri pse loton?

Ah mor' bir i nënës, ç'të të them më parë.
Mallin dot s'ma shuan, lotin dot s'ma ndal.

Ç'të bëj hallemadhja, Nëna Shqipëri.
Nëna zemërplasur, më ikën fëmijtë.

M'i morri fëmijët mërgimi i huaj,
Ç'do ditë përgjërohem, ç'ësht' ky fat për mua?!

Linda shumë fëmijë, vajza, djem të mbarë
U bënë dhe prindër, shkuan edhe vanë.

Deti m'i rrëmbeu, mbetën dhe në male
Qaj edhe vajtoj, m'i lanë dhe pa varre!

Djersën edhe gjakun e fëmijëve t'mi,
Po e pijnë të huajt, s'i duroj, s'e di!

Shiko ç'po më bëjnë, trupin po m'a shesin,
Vijnë e shkojnë të huajt, pazare me shkesin.

Shiko ç'po më bëjnë, trupin m'a copëtojnë.
Kush të marrë më tepër, pa vjedhur dot s'rrojnë.

Shih' si më kanë lënë, pa drita, n'errësirë,
Mes shiut dhe baltës, një nënë të mbërdhirë.

Vodhën shkatërruan, shpërndanë edhe armë,
Ç'i panë sytë nënës, njëri tjetrin vranë.

Oh e mjera nënë, s'di si po duroj
Varrezat janë plot, djemt'e rinj vajtoj...

Këtë plagë të hapur, kush do t'ma shërojë?
Dua fëmijët pranë, jo shpërndarë në botë.

Kthehuni pranë nënës, ju, që keni ikur.
Ju, femijë të mbarë, nëna ju pret prap.

Do kthehemi moj nënë, po, ç'shohim e dëgjojmë
Dhe drejtimin tënd po e privatizojnë...

Por ne do të kthehemi, një ditë do të gëzojmë,
Prane teje do jemi, pranë teje do rrojmë.