14 Janar 2008
   



Gëzuar ! …. Nga Time Square

Nga Ajet Nuro


I zënë me fundin e sezonit nuk pata kohë të mendoja për ndonjë ide speciale për vitin e ri 2008. Edhe një
telefonatë në Turisme Québec më doli huq. Nga një difekt elektrik (jo vetëm në Shqipëri ka difekt me
elektrikun…) qendra e asistencës nuk funksiononte. Kështu që i dhashë udhë një ëndrre të vjetër: të
kaloja ndërrimin e viteve në Time Square në New York. Nuk është dhe aq e lehtë të përgatitësh një
udhëtim për dy ditë por ja që nga një herë një gjë e tillë është paksa më origjinale se sa një udhëtim i
planifikuar prej kohësh.  

Udhëtimi drejt qendrës së botës.

Nuk e di nëse është përcaktuar kërthiza  e botës por jo vëtëm për Amerikën por besoj se për gjithë botën
New Yorku është qendra. Jo më kot, 11 shtatori është i lidhur pikërisht me këtë mit të këtij qyteti
madhështor. Mes motiveve të tjera goditja e New Yorkut është e lidhur me atë simbol që ky qytet
përfaqëson për Botën e Re. New Yorku është diçka më shumë se qendra ku ndodhet selia e Kombeve të
Bashkuara apo  një qytet tipik amerikan. New Yorku shihet si pararoja e qytetërimit të sotëm. Shumë kush
mund të thotë se asgjë nuk e ndal New Yorkun dhe botën që ai përfaqëson. E megjithatë 11 shtatori i
2001 i dha fund një epoke që të gjithë do ta kujtojnë me nostalgji, epokë që kush e di kur do të rishfaqet.  
E pra, udhëtimi drejt New Yorkut është i këndëshëm ndonëse udhëtimi shoqërohet me borë në Kanada
dhe pak nga pak bora ia lë vendin diellit. Bora nëpër pemët e anërrugës është piktoreske por edhe aty
duket ndryshimi mes nesh (Montrealit) dhe New York-ut. Sa më shumë i largohemi Montrealit aq më pak
borë ka nëpër pemë. E pra ne jemi vizitorë të veriut të ashpër. Por kur shkon nga Montreali në New York,
nuk mund të mos kujtosh një fakt që Montreali dhe New York dikur ishin dy qytete rivale që diskutonin kush
do të dominonte tregëtinë portuale nga Europa. Ndonëse Montreali është nga qensrat më të zhvilluara në
Amerikën e Veriut, përsëri ai ngelet metropoli i provincës së Kebekut. New Yorku e fitoi rivalitetin me
Montrealin dhe sot New York është New York...
New York, New York


New York ka gjithshka për të qenë metropoli kulturor i Amerikës dhe jo vetëm Amerikës. Aty gjendet gjithshka që kultura ke nevoj,
teatre, kinema, sallone mode, ekspozita, muzeume. Metropoli amerikanë është shumë i gjallë nga ana kulturore. Për këtë qytet janë
kënduar këngë, janë bërë filma nga amerikanët dhe të huajt, janë thurur poezi etj. Por mendoj se kënga e Frank Sinatrës, "New
York, New York" duket si himn i kêtij qyteti madhështor. Por kur hynë në qytet nuk mund të harrosh "Wellcome to Ney York City" të
Rycki Martin. Njujorkezët kanë krijuar dhe një simbol që tregon krenarinë e tyre për New York-un; një zemër me mbishkrimin "I love
NYC" ( "Unë e dua qytetin e New Yorkut")

Time Square

Vetë emri i sheshit të famshëm Time Square është bërë simbol i festimeve të vitit të ri. Pasi u vendosëm në hotel. menduam të
nisemi për në qendër të qytetit për të përfituar e për të parë nga afër atmosferën e vitit të ri. Televizori njoftonte se rrogët pranë Time
Square janë bllokuar për qarkullimin. Ndonëse kjo na dukej normale, nuk e menduam se një gjë e tillë mund të bëhej dhe pë
njerëzit...Morëm trenin dhe u nisëm për në qendër. Nuk ishte e vështirë të gjeje Time Square. Turmat që vërshonin nga stacioni i
trenit apo nga metrotë drejtoheshin për aty. Nga të gjitha përgatitjet që mundëm të bënim për në New York, një gjë nuk e menduam:
Time Square ka një limit... Duke u afruar për tek sheshi, pasi blemë dhe ne simbolet e festës si syze me drita që shkruanin 2008
apo kapele të përgatitura enkas për rastin e vitit të ri, hasëm në kordonin e parë të policisë. "Këtu është e bllokuar " - na thanë. -
Duam të shkojmë në Time Square – replikonim ne por dhe të tjerë si puna jonë. - Provoni nga 38 ( ne ishim tek 42-shi). Më në fund
e kuptuam se ishte e kotë të kërkonim rrugë të hapur për në Time Square. Ishte ore 9 e mbrëmjes dhe aty e kuptuam se ishim vonë,
shumë vonë.


Time Square apo "mission impossible"
Pamë se disa qytetarë tregonin një copë letër dhe kalonin. Na thanë që ata kanë rezervuar hotel apo restorant në perimetrin ku do
të bëheshn festimet... Ne kishim vetë pasaportat. I thamë një polici që vinim nga Kanadaja, ... asnjë përshtypje, i tham jemi
shqiptar... asnjë përshtypje, i thamë mos duhet të paguajmë për të kaluar.. qeshi..(nuk ishte polic shqiptar...). Atherë iu drejtuam
njërit që dukej se ishte një nga shefat e policëve. I thamë që kemi ardhur enkas nga Kanadaja për të marr pjesë në festimet në
Time Square. Nuk e zgjati por na tha, "Kaloni dhe gëzuar..." Por historia nuk përfundoi këtu. Në rrugëm tjetër, një polic jo vetëm
nuk na linte (Jam unë shef këtu...) por na tha të kthehemi mbrapa sepse të tjerët kanë ardhur që në orën 3 mbasdite dhe tash
është 9 e darkës... Në këto e sipër erdhi një grup të rinjsh të shoqëruar me një polic. Një polic tjetër, na e bëri me shenjë "Futuni!"
U nisëm por gjerë sa mbrritëm na ndaluan edhe disa herë të tjera për të na bërë inventar. Më në fund ia dolëm. U futëm në të
famëshmin shesh Time Square. Ishim jo larg nga pallati në të cilin ndodhej sfera e famshme dhe nga ku lëshohen fishekzjarret.
Atmosfera aty ishte e jashtzakonshme.

Sheshi i teknologjisë së re
Time Square duhet të jetë në fest për ditë por sidomos për vitn e ri atmosfera është dhe më festive. Nga Time Square, ekranë të
mëdhenjë transmetojnë të dhëna nga bursa e New Yorkut, ndërsa natën e vitit të ri ngado shihje publicitete të më të mëdhenjëve
të ekonomisë amerikane. Publicitetet amerikane janë aq tërheqës sa kur transmetohen në Kanada ndeshje të rëndësishme të
kampionatit amerikanë të futbollit restorantet apo klubet ku mblidhen tifozë, reklamojnë ndeshjet me "transmetojmë reklama
amerikane".
Ndonëse festimet e vitit të ti në Time Square janë mëse njëqind vjeçare, teknologjia e re e bënë atë një nga sheshet më modern. Nisur
nga popullariteti i festimeve të vitit të ri dhe transmetimi nga shumë kanale televizive, më bëri përshtypje reklama që i bëhej një siti
interneti rus ( russiatoday.com). Rusët dëshirojnë të gjejnë një vend prestigjioz përkrah fuqive të tjera, pas rimëkëmbjes që ekonomia
ruse ka filluar pas përmbysjes së komunizmit pra 16-17 vjetësh. Dhe ku ka vend më të përshtatshëm se sa një fest në kërthizën e
botës në New York.




Ju flas nga Time Square
Më bëri përshtypje ata që më rrethonin ishin të armatosur me celular dhe nuk ishte e vështirë të dëgjoje thirrje histerike "Hej, po
të flas nga Time Square...." urime, thirrje...Pra Time Square është vendi pestigjioz i pragut të vitit të ri. Duke pritur orën që
përbënte kufirin midis viteve u njohëm me shumë nga "fqinjët tanë". Një gruaje desha ti mburrem se kam udhëtuar gjasht-shtatë
orë për të ardhur këtu. Por .. ajo ma kalonte...Kam udhëtuar 12 orë, - më tha, - vij nga Indianapolis,-shtoi. Dhe pothuajse gjithë
pjesmarrësit telefonoi të vetët për ti uruar nga Time Square.


Happy New Year !


Pasi u brohorit për mbrritjen e vitit të ri në kryeqytetin kilien dhe në provincat kanadeze të Atlantikut, më në fund edhe në New York
ora iu afrua mesnatës dhe kështu dhe vitit të ri 2008. Ajo që ndodh në momention e ndërrimit të viteve nuk mund të përshkruhet.
Shampanjë që rrëzohet  prej qiellit, fishekzjarre, copa letrash ngjyra-ngjyra, ovacione. Gjithshka në atë shesh është delirante. Të
gjithë festojnë dhe pavarësisht se nuk e njohin njëri-tjetrin, urojnë gëzuar. Dhe ky është NEW YORK. Veç New York.

Gëzuar pra Vitin e Ri 2008 ! Happy New Year 2008 !




Ajet Nuro

anuro@albemigrant.com

Montreal, janar 2008

Copyright autori dhe lajme / news albemigrant.com. Materialet mund të kopjohen, ribotohen dhe shpërndahen me kusht që të
citohet autori dhe burimi