U mbajt takimi i radhës i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe
Poetëve Shqiptaro-Amerikanë.

Nga Pierre-Pandeli Simsia

Siç edhe ishte njoftuar ditën e shtunë më 4 Gusht 2007, në një nga sallat e pallatit të Vatajve
në Bronx, NY, u mbajt takimi i përvitshëm i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Poetëve
Shqiptaro-Amerikanë.
Zoti Mëhill Velaj, nënkryetar i kësaj Shoqate i kishte marrë masat që koha e atij takimi të ishte e
pakufishme, prandaj edhe kishte zgjedhur dhe pronotuar atë sallë. Pyetjes se përse ky aktivitet
nuk zhvillohet në ato salla ku janë zhvilluar aktivitete të mëpashme kulturore-artistkie, Zoti Velaj
i përgjigjet: "Sepse Vatajt na i lanë kohën në dispozicionin tonë, ndërsa sallat e tjera të njohura,
meqenëse janë të ngarkuara me shumë aktivitete, nuk kishin mundësi më shumë se 2 orë
kohë.
Edhe pse ishte një ambient i këndshëm për të zhvilluar atë aktivitet dhe që zoti Mëhill Velaj i
kishte marrë masat që çdo gjë të kalonte kënaqshëm, për këtë duhet vlerësuar dhe
falenderuar, vlen të përmend që në fillim të këtij shkrimi se kishte një mungesë në orientimin e
të ardhurve për të shkuar në sallë.
Duke u njohur me përvojën e para disa viteve, ku takimi i Shoqatës u mbajt në Teksas dhe të
gjithë pjesëmarrësit (Unë vetë nuk ndodhesha në atë takim) janë larguar me përshtypjet dhe
mbresat më të shkëlqyera dhe të paharuara, interesimin e zotit Gjekë Marinaj, që çdo gjë të
shkonte sa më rehatshëm dhe kënaqshëm, duke filluar që nga pritja në aeroport...  mendoj se
e njëjta përvojë duhej të ndiqej edhe në takimin në Nju Jork, veçanërisht për "miqtë" krijuesa, të
ardhur nga shtete të tjera të Amerikës...
Pasi hyjmë në sallën ku do të mbahej takimi, përshëndetemi me të ardhurit që kishin ardhur
më parë. Përqafohemi me mall dhe dashuri si vëllai me vëllanë me Mëhill Velaj-n, Gjeto
Turmalaj, Adnan Mehmeti, Pal Ndrecaj.
I punësuari në atë lokal, Saimiri nga Tirana, nuk vonon, vjen e të pyet për kafen dhe pije të
ndryshme.
Në raste dhe takime të tilla, ka nga ata që jemi takuar para disa muajve në aktivitete të
ndryshme, ka edhe nga ata që kemi kohë, shumë kohë pa i parë, kemi shumë gjëra për të
biseduar dhe për t'i thënë njëri-tjetrit dhe nuk ke se nga t'a fillosh më parë bisedën, megjithatë,
qendra e bisedës mbetet krijimtaria e çdo anëtari gjatë një viti. Ishte rasti më i mirë për të
shkëmbyer mendimet e ndryshme me njëri tjetrin për veprat e botuara.
E ndërsa minuatat kalojnë dhe ora e mbledhjes afron, shohim se pjesëmarrja është akoma
për të dëshiruar. Tradita shqiptare kjo në raste të tilla, moskorrektësia dhe mosrespektimi i
orës së caktuar.
Dëgjohen zile të ndryshme të telefonave celularë (Ku jeni? Kemi ardhur, nuk po dimë nga të
hyjmë, ku ndodhet salla?...).
Një trokitje, një hapje dere dhe shohim të vijnë anëtarë të tjerë të Shoqatës. Hyn "miku" i ardhur
nga Teksas-i, Presidenti i Shoqatës Gjekë Marinaj i shoqëruar nga Kryetari Ramiz Gjini.
Vazhdojnë të vijnë me radhë, Kozeta Zylo hyn së bashku me Nexhat Imeraj-n.  Luigj Çekaj vjen
së bashku me vajzën e tij. Hyn Merita Bajraktari, hyjnë miqtë e ardhur nga Chicago, Dalan
Luzaj, Fatjon Pajo, miku nga Michigani, Bardhyl Mezini, takohemi me mall dhe dashuri. Një
pjesë të anëtarëve i shohim dhe takojmë për herë të parë, pavarësisht njohjeve tona nëpërmjet
shkrimeve, e-mail-eve, krijimeve.
Ambient tepër i këndshëm dhe i kënaqshëm. Ishim mbledhur si një familje e madhe dhe e
gëzuar. Bisedojmë, qeshim, shkëmbejmë mendime të ndryshme.
Vjen gazetari Dalip Greca, pas tij hyn edhe Tomë Paloka.
"Hë, si thoni, do fillojmë? Ja të presim edhe pak. Kush ka njoftuar tjetër jashtë Nju Jorkut për
ardhje? Po anëtarët e tjerë nga Nju Jorku ku janë?; nuk do vijnë? Ku janë njujorkezët
krijuesa?..." Dikush mundohet të justifikojë kolegët e tij për pamundësi ardhjeje...
Në emigracion puna është kryesorja, sepse vetë jeta është pagesë. Sapo hyn dhe del muaji,
përveç jetesës duhen paguar të gjitha detyrimet e asaj jetese dhe nuk është e kollajtë të
humbasësh ditën e punës, por, siç e tha edhe në fjalën e tij zoti Mëhill Melaj, njëherë në vit
mbahet takimi dhe, mendoj se çdokush i ka mundësitë që për atë takim të krijonte mundësitë
për të mos munguar.
Nuk mund të gjykoj mospjesëmarrjen e anëtarëve me banim në Nju Jork edhe ata që nuk janë
në marëdhënie pune, sepse çdo njeri i di vetë punët dhe hallet e tij... por,... do kishin bërë mirë
të mos mungonin...
Ajo që do mbahet mend nga takimi i Shoqatës së 4 Gushtit 2007 në Bronx të Nju Jorkut, është
fryma dhe mënyra demokratike se si u mbajt ai takim, mënyrë kjo, që duhet të vazhdojë edhe
në takime të tjera kulturore-artistike që zhvillon komuniteti ynë, veçanërisht në promovimet e
librave. Sot, nuk ka më vend koha e elozheve dhe e ngritjes së lavdisë ndaj njëri tjetrit pa e
merituar. Është vepra letrare e krijuar ajo, që e bën autorin të jetë i vlerësuar apo jo nga
lexuesi. Pa kritikë letrare, vepra s'ka vlerë... Kjo vlejti edhe për çdo anëtarë dhe shoqatën
bashkë në atë takim.
Nga diskutantët pati debat, kritikë, dhënie shkëmbim mendimesh të ndryshme dhe të
kundërta, puqje mendimesh, rënie dakort... Pra, takimi u mbajt i formës demokratike, ku çdo
anëtar dha mendimin e tij.
Në fillim nga diskutimet e ndryshme që u bënë, tek disa anëtarë u krijua mendimi se çdo gjë
ishte përgatitur më parë. I them kolegut që kisha pranë si me shaka: "Nuk jemi mbledhur këtu
të hamë ëmbëlsirën e gatuar më parë nga të tjerët dhe të servirur nëpërmjet rekomandimeve;
duhet ta përgatisim këtu, të gjithë ne atë ëmbëlsirë, ta pranojmë dhe ta shijojmë të gjithë së
bashku"...
Shumë anëtarë të listave ditë më parë i kishin dërguar letra, e-mail dhe telefonata të ndryshme
zotit Gjekë Marinaj, duke shprehur mendimet e tyre për emrin e kryetarit dhe anëtarët e tjerë që
duhet të jenë në kryesinë e re dhe, me të drejtë Marinaj nuk e morri parasysh një gjë të tillë.
Pati edhe nga ata anëtarë të tjerë, i kishin dërguar përshëndetje takimit të anëtarëve të
Shoqatës nëpërmjet Merita Bajraktarit. Edhe kjo është e pakuptueshme dhe e papranueshme.
Nuk duhet menduar dhe kuptuar se jemi në listat e ndryshme të Internetit. Shoqata ka
presidentin e saj, ka kryetarin dhe shumë mirë ato përshëndetje dhe mendime duhet të
shkojnë në adresë të tyre.
Takimi u mbajt në një tryezë të rrumbullakët. Nënkryetari i Shoqatës Mëhill Velaj, mbajti fjalën e
hapjes, duke i uruar mirëseardhjen gjithë të pranishmëve dhe punë të mbarë takimit..."
Pastaj e mori fjalën Ramiz Gjini, Kryetari i Shoqatës, ku ndërmjet të tjerash tha: "...Nuk mund ta
quaj pjesëmarrje të detyruar këtë takim, se ka ikur koha kur partia dhe sekretarët e saj i
detyronin njerëzit, madje merrnin edhe me masa ndëshkimore për mospjesëmarje në
mbledhje. Këtë zoti Gjini e ilustroi me një shembull humoristik...
Presidenti i Shoqatës, zoti Gjekë Marinaj, pasi analizoi punën e bërë gjatë një viti, duke dhënë
edhe vlerësimet e tij, dha mendimin e tij që konkursi i përvitshëm i krijimeve letrare zhvilluar
deri tani, të bëhet njëherë në pesë vjetë dhe të shtrihet në hapësirën krijuese jashtë Amerikës,
ku ka shqiptarë. -Sepse,- tha në fjalën e tij zoti Marinaj, - çfarë çmimi "Pena e Artë" mund të
jepet, kur na vijnë nga një libër për konkurim nga të gjitha gjinitë.
Filluan diskutimet për kohën e konkursit.
Që konkursi të zhvillohet njëherë në pesë vjetë u kundërshtua nga Gjeto Turmalaj, kundërshtim
që edhe u argumentua nga zoti Turmalaj me mendimet e tij. "Unë mendoj që konkursi
tëzhvillohet njëherë në 3 vjetë.." - tha midis të tjerash zoti Turmalaj.
   - Nuk jam dakort që konkursi  të jetë mbarëkombëtarë, - tha Pierre-Pandeli Simsia. - Nuk
mund të jetë një konkurs mbarëkombëtar, kur atë e zhvillon Shoqata e Shkrimtarëve
Shqiptaro-Amerikanë. Edhe që të mbahet njëherë në pesë vjetë përsëri nuk jam dakort, madje
jam i mendimit që të mos jepen fare çmime "Pena e Artë", apo "Pena e Argjendë". Shumica e
atyre "fituesve"të asaj Pene e mbajnë atë çmim si "armë" për ta përdorur në intervista apo
shkrime të ndryshme, si fitues të çmimeve të arta, sepse vitet e shkuara ka pasur edhe
pakënaqësi nga anëtarët për dhënien e çmimeve nga ana e jurisë. Kjo është edhe arësyeja
ime personale që unë nuk kam dërguar asnjëherë krijim për konkurim këto vitet e fundit. Por
meqenëse po diskutohet për konkursin, mendoj që ai të mbahet njëherë në dy vjetë dhe
mundësisht siglën  "Pena e Artë" ta zëvendësohet me një tjetër, mundësisht të jepet një
çertifikatë mirënjohjeje për punën e krijuesit, si një dekurajim për të ardhmen e tij krijuese... -
tha Simsia.
    - ... Për përfshirjen e konkursit mbarëkombëtar, përfundimisht jam e mendimit se nuk duhet
të shkojë jashtë kufijve të Shoqatës Shqiptaro-Amerikane. Po nuk u konsolidua si njësi kjo
shoqatë..., d.m.th. të jetë e saktë për vete dhe për anëtarët e saj... Pra, mendoj, që konkursi të
jetë brenda krijuesve që krijojnë dhe jetojnë në Sh.B.A. siç është e shkruar edhe në status, -
tha ndërmjet të tjerash Merita Bajraktari.
   - Nuk kemi kushte që konkursi të mbahet në mbarë diasporën shqiptare, - tha në diskutimin
e saj Kozeta Zylo. - Nuk jap mendim dy apo tre vjeçar, madje periudha pesë vjeçare, nuk e di
pse më kujtoi ato planet e "famëshme" pesëvjeçare të dikurshme, por të ngrihet një komision i
posaçëm dhe nga volumi i librave të botuar të jepet edhe vlerësimi... - tha Zylo.
Duke marrë mendimet e ndryshme të anëtarëve u vendos që konkursi të mbahet njëherë në
tre vjetë.
Diskutimet ishin të ndryshme, si duhet ta ndihmojmë Shoqatën. U diskutua për kuotizacionin e
anëtarëve dhe për gjendjen ekonomike të Shoqatës.
  - Duhet të mendohemi te ekonomia e shoqatës dhe jo kush është kryetar, sekretar..., sepse
edhe ekonomia e njerëzve është e ndryshme, dikush punon, dikush nuk punon... - tha
ndërmjet të tjerash Tomë Mrijaj, veteran i "Vatrës".
   - Edhe ne e kuptojmë gjendjen ekonomike të anëtarëve, - ndërhyri Ramiz Gjini, - Kuota për
çdo anëtar është 100 dollarë, por, për ata anëtarë që nuk punojnë, pra ana ekonomike e tyre
është e dobët, e mira është të na e thonë. Ne nuk mund të përjashtojmë anëtarët e Shoqatës,
pse ata nuk e paguajnë kuotën e anëtarësisë..."
Diskutimi sillte diskutimin; sigurisht, për ato ishim mbledhur, të diskutojmë, të japim mendimet
tona dhe të vendosim. U diskutua edhe për revistën e shoqatës "Pena"
   - Duke menduar, që këto kandidatura të jenë të sakta dhe secili të paraqesë platformën se
ç'duhet të japë. Ç'farë mendon ai për këto probleme, shqetësime, mbështetjen financiare të
"Penës" dhe burimet e tjera, pra, duhet të ketë një platformë. Kryetari i ri që do të zgjidhet sot,
duhet t'i mbushë mendjen Shoqatës se i ka mundësitë që për tre vjetë, sepse ai mendon për,
1,2,3,4,.. pika... tha gazetari Greca.
   - ... Baza e çdo shoqate apo e çdo qeverie duhet të jetë buzheti. Që kjo shoqatë të përparojë,
në radhë të parë duhet buzheti - tha Dr. Selahedin Velaj. Në fund, fjalën e tij Dr. Selahedin Velaj
e mbylli, duke i uruar suksese Shoqatës dhe duke i dhuruar një shumë 500 dollarëshe.
Diskutoi gjithashtu edhe artisti poet Nexhat Imeraj. Si gjithmonë, Imeraj, i saktë, korrekt, në
diskutimet e tij.
Pastaj erdhi radha për zgjedhjen e anëtarëve të kryesisë dhe të kryetarit të saj. Ramiz Gjini dha
mendimin e tij që në fillim të zgjidhen anëtarët dhe ata vetë të zgjedhin kryetarin.
   - Meqenëse, që nga krijimi i  Shoqatës, kryetarët kanë qenë nga Nju Jorku, mendoj që
kryetari i ri sot të zgjidhet nga një shtet tjetër, jashtë Nju Jorkut, - tha Simsia.
Tomë Mrijaj dha mendimin e tij për Merita Bajraktarin, por ky mendim u kundërshtua
menjëherë dhe me vendosmëri nga vetë Merita.
Merita Bajraktari e vlerësoi respektin që kanë anëtarët e Shoqatës. - Jam e nderuar prej jush,
ndjej se i jam borzhlie shoqatës. Pavarësisht nga respekti dhe konsiderata, dua t'i bëj të qartë
Shoqatës dhe juve këtu, që emri im të lihet jashtë.... personalisht nuk kam mundësi, por jam
gati të jap ndihmesën time absolute kur dhe në çdo kohë të keni nevojë, - tha në diskutimin e
saj Bajraktari.
Adnan Mehmeti dha mendimin e tij për kontributin e anëtarëve nga ana financiare. - Nëse kemi
një kryetar të zgjedhur, siç tha Dalipi, me platformë, me vizione, me plane... mundet të shkohet
edhe me metodat e ndryshme të bizneseve të ndryshme, në organizata... - tha ndërmjet të
tjerash Mehmeti.
I vendosur në diskutimin e tij ishte edhe Tomë Paloka, ku dha mendimet dhe sugjerimet e tija.
- Që të mbahet një takim si ky, duhet të jetë edhe statusi përpara... - tha ndërmjet të tjerash
Paloka. Gjithashtu Paloka u ndal edhe në disa shqetësime që ka pasur kohët e fundit Shoqata.
- Nuk e dëshirojmë tek asnjë anëtar i Shoqatës që të përjashtohet nga kjo Shoqatë pa u marrë
edhe mendimet dhe sugjerimet e anëtarëve të tjerë që aderojnë në të, duke patur parasysh
edhe krijimtarinë e tyre letrare.
Ashtu siç jetojmë në këtë vend demokratik, Shoqata, Kryesia dhe Anëtarët e saj gjithmonë
duhet të ecin në parimet demokratike. Gjithashtu, nuk na vjen mirë kur mësojmë të
vetëlargohet ndonjë anëtar nga kjo Shoqatë...
U vlerësua gjithashtu puna e bërë nga Kryetari Ramiz Gjini dhe Nënkryetari Mëhill Velaj dhe
nga Sekretari i Shoqatës Petraq Pali.
Zoti Bardhyl Mezini propozoi zotin Dalan Luzaj për anëtar në Kryesinë e Shoqatës. Emri i zotit
Luzaj u mirëprit, u duartrokit dhe u miratua menjëherë nga të gjithë.
   "Në Shoqatën tonë ka krijuesa të mirë, por unë më mirë nga të gjithë njoh zotin Dalan Luzaj.
Mendoj që Dalani të jetë në kryesi, është shumë serioz në punë, korrekt... - tha ndërmjet të
tjerash zoti Bardhyl Mezini
U propozuan edhe emra të Adnan Mehmetit, Ymer Çela, Teuta Shabani, Petraq J. Pali, Mëhill
Velaj. Kozeta Zylo, Rozi Theohari...
Në fund me miratimin e pjesëmarrësve zoti Dalan Luzaj u zgjodh Kryetar i Shoqatës së
Shkrimtarëve dhe Poetëve Shqiptaro-Amerikanë për tre vjetë, zgjedhje, e cila u mirëprit, duke u
shoqëruar edhe me duartrokitje.
Vetë Kryetari Dalan Luzaj në prani të gjithë pjesëmarrësve zgjodhi stafin e tij të punës, emra, të
cilët u miratuan nga të gjithë pjesëmarrësit..
Nënkryetar Mëhill Velaj.
Sekretarë të Shoqatës: Ymer Çela, Pierre-Pandeli Simsia
Edhe pse vetë Simsia e kundërshtoi zgjedhjen e tij që iu besua, duke marrë shkas nga disa
probleme shëndetësore të tij të kohëve të fundit, reagimi i menjëhershëm dhe i njëzëshëm i
pjesëmarrësve e bënë Atë t'i bindej mendimit të shumicës.
Anëtarë të Kryesisë: Kozeta Zylo, Bardhyl Mezini, Petraq J. Pali, Teuta Shabani, Tomë Mrijaj,
Adnan Mehmeti.
Kryetari i sapozgjedhur zoti Dalan Luzaj në fjalën e tij tha:
"... Të dashur motra dhe vëllezër! Jemi të gjithë motra dhe vëllezër në mbarë botën dhe jo ne që
jemi të gjithë të një gjaku. Jam i emocionuar për besimin që më dhatë dhe këtë besim do ta
shpërblej me punë. Do të thosha këto dy gjëra: Do të këmbëngul në kuotizacion dhe në cilësi,
pastaj, krahas këtyre gjërave do të bëj ç'është e mundur me stafin e sapozgjedhur... Edhe
njëherë ju faleminderit për besimin që më dhatë..."
Kozeta Zylo do të merret edhe me shtypin, ndërsa Teuta Shabani do të merret me
ekonomi-finacën, marketing-un e Shoqatës.
U dhanë edhe çertifikata për punën e tyre krijuese zotit Naum Prifti, znj. Kozeta Zylo, z. Marash
Mali.
Pas mbarimit të takimit të gjithë së bashku si një familje motra dhe vëllezër shkuam dhe
drekuam në restorantin 3 yje në Bronx.
Takimi ishte mbresëlënës. U ndamë nga njëri tjetri, nga kolegët tanë me mall të madh, mall që
duhet ta shuajmë pas tre vjetësh, kur të mblidhemi përsëri në Michigan.

Fjala përshëndetëse e zotit Marash Mali.

Shpirtërisht i uroj punë të mbarë Shoqatës sonë të Shkrimtarëve dhe Poetëve
Shqiptaro-Amerikanë.
Ju kërkoj ndjesë për arësye të moshës dhe që jam larg nuk ndodhem sot aty pranë jush për të
ndarë kënaqësinë e bashkbisedimit me Ju.
Të nderuar krijues të Artit Letrar!
Misioni i Shoqatës sonë është për krijimtari me cilësi të lartë të standarteve bashkëkohore.
Në mërgim ne jetojmë me dashurinë për atdheun dhe gjuhën tonë të mrekullueshme. Me
mendje dhe me zemër jam sot aty në mesin tuaj. Suksese përherë më të larta për të zbuluar
dituri të reja që i kërkon arti letrar.
Urime Shoqata e jonë dhe i qoftë jeta e gjatë kësaj Shoqate.
Kryetari i Shoqatës zoti Dalan Luzaj.
Rreshti parë: P. Ndrecaj, T. Paloka, A. Mehmeti, K. Zylo, T. Mrijaj, F. Pajo, D. Luzaj, Gj. Turmalaj.
Ulur: N. Imeraj.
Në rreshtin e dytë: Gj. Marinaj, M. Velaj, L. Çekaj, M. Bajraktari, B. Mezini, R. Gjini, P-P. Simsia
Dalan Luzaj & Gjeto Turmalaj
T. Mrijaj, K. Zylo, B. Mezini, M. Velaj, D. Luzaj, P-P. Simsia
Merita Bajraktari & Kozeta Zylo.