Pranverë Shqiptare në Lehman Center for the
Performing Arts, Nju Jork

U zhvillua Festivali i 17-të Folklorik i Diasporës Shqiptare në
Sh.B.A.

Mijëra bashkatdhetarë mbushin plot sallën e madhe mbi tremijë vendëshe
në  Lehman Center for the Performing Arts, në Bronx të Nju Jork-ut.

Nga Pierre-Pandeli Simsia

Edhe nëse Qendra Kulturore "Nënë Tereza" e Kishës Katolike me qendër në
Harrtsdale në Nju Jork, si dhe zotëria i nderuar i Komunitetit shqiptar të Amerikës, zoti
Mark Shkreli të mos kishin njoftuar para pak kohësh  për Festivalin e 17-të Folklorik
Kombëtar të Diasporës Shqiptare në Amerikë, Komuniteti Shqiptar e di vetë tani atë
Aktivitet Kulturor-Artistik-Folklorik në pragmbyllje të çdo viti, sa të larmishëm aq edhe
të rëndësishëm, për të mos munguar.
Si çdo vit edhe ditën e diel, më 11 Nëntor 2007 Qendra Kulturore "Nënë Tereza" e
Kishës Katolike me qendër në Harrtsdale në Nju Jork, zhvilloi Festivalin e 17-të
Folklorik të Diasporës.
Arti, Kultura, Folklori Shqiptar u shpalosën në sallën e madhe të koncerteve mbi
tremijë vendëshe në Lehman Center for the Performing Arts në Bronx të Nju Jorkut.
Mijëra bashkatdhetarë nga të gjitha trevat e Shqipërisë, jo vetëm nga Nju Jorku, por
edhe nga shtete të tjera të Amerikës kishin ardhur për të marrë pjesë në Festën e
Kulturës dhe Folklorit  Shqiptar
Në atë skenë të madhe pranvera shqiptare erdhi e larmishme me të gjitha ngjyrat e
saja. Gjithë ngjyrat e jetës shpalosi Shqiptaria në atë aktivitet artistik.
Xhubletat, fustanellat, tirqet, opingat me xhufka, kostumet e ndryshme kombëtare
shqiptare, jataganët, ... krijonin një lëndinë të bukur shumëngjyrëshe, për të shijuar
tingujt e ëmbël të çiftelive, fyejve, lahutave, sharkive, daulleve, zërat e ëmbël dhe
melodiozë të këngëtarëve, hapat e valltarëve dhe kërcimtarëve si flutura në mes asaj
lëndine lulesh shumëngjyrëshe, ku në sfond të skenës i printe Ai, Flamuri ynë i
Shenjtë Kombëtar me Shqiponjën dykokëshe krahëhapur.
Edhe vetë Flamuri ynë Kombëtar dukej sikur qeshte në atë mbrëmje të gëzuar, në
festën e  madhe dhe të larmishme të kulturës shqiptare.
Organizatorët e festivalit, Mark Shkreli, Gjon Chota, Palok Rudaj, ... si të "zotët" e
shtëpisë,  para se të fillonte festivali, ishin ata që i uronin mirëseardhjen spektatorëve,
që grupe grupe ecnin drejt sallës së koncerteve, mes kopështit të bukur dhe të
gjelbëruar që të ofrojnë ambientet e këndëshme dhe shlodhëse të  Lehman Center
for the Performing Arts.
Përpara hyrjes për në sallë mijëra bashkatdhetarë kanë ardhur dhe rrinë në radhë për
të hyrë.
E ndërsa hyjmë në sallë, pak para se të fillojë festivali, takohemi me miq dhe shokë
artistë, disa nga të cilët janë në provat e fundit në skenë.
Aktori i mirënjohur i Humorit Koço Devole është ndër të parët që ka ardhur. Gazetarja
Mimoza Dajçi bashkë me vajzën e saj simpatike është nën "ethe". Edhe pse këtë vit
nuk është regjisore e festivalit si vitet e kaluara, përsëri Mimoza jeton me festivalin...
Zotin Mark Shkreli, që është edhe drejtor i festivalit e shohim përherë në lëvizje, sa në
skenë, në sallë. Në lëvizje është i gjithë grupi organizues i festivalit, skenografi Fran
Shala, drejtori i skenës Ludvig Çotaj, drejtori organizativ Gjon Chota, koordinatorja e
reklamave Lule Gjokaj,  Astrit Tota, ...
Salla vazhdon të mbushet me spektatorë; shohim të vijnë personalitete të larta, përfaqësues të Shtetit
Shqiptar, kryetarë dhe anëtarë të shoqatave të ndryshme; Ambasadori i Shqipërisë pranë Organizatës
së Kombeve të Bashkuara me seli në Nju Jork, zoti Adrian Neritani me bashkëshorten e tij, Kryetari i
"Vatrës", zoti Agim Karagjozi, zëvendësi, zoti Agim Rexha, Presidentja e Shoqatës së Gruas
Shqiptaro-Amerikane"Motrat Qiriazi", Dr. Anna Kohen me bashkëshortin e saj, nga Shoqata "Çamëria",
zonja Vera Gjata, zoti Sali Bollati me bashkëshorten, Sekretari i Akademisë së Shkencave
Shqiptaro-Amerikane Dr. Namik Shehu, Avni Mustafa, Famulltari i Kishës Katolike "Zoja e Shkodrës" i
përndershmi dhe i respektuari Dom Pjetër Popaj, Dom Nikolin Pergjini, Dom Viktor Dedaj,  ...,
bashkatdhetarë të ndryshëm, zotërinjtë Gjeto Sinishtaj, Dedë Dedvukaj, Zef Bala, Pashk Dedvukaj,
Gjon Dedvukaj, Kolë Popaj, Nue Camaj, Gjergj Kalaj, Prel Sinishtaj, zonjat Nermin Daja, Myrvete
Shehu, Margarita Salani, Kadrie Nela, Jorgjia Prenka, Mimoza Tahiri, Mimoza Mëhilli, aktori i humorit
Arjan Rrapushaj, Skënder Liço, Shyqyri Rapi...
Festivali i 17-të Folklorik i Diasporës u mbajt në vitin e 10-të vjetorit të vdekjes së Shenjtores Shqiptare
Nëna Tereze, shpirti dhe personifikimi i vetë Kombit Shqiptar.

Salla është e mbushur plot me pjesëmarrës. Fiken dritat e sallës dhe ndriçimi i vetëm i skenës tregon
fillimin e festivalit. Pas një heshtjeje të shkurtër, salla shpërthen në duartrokitje. Vogëlushët shqiptarë
valltarë, si zogj të bukur, si flutura krahëlehta vallëzojnë dhe fluturojnë në skenë, të veshur me kostume
kombëtarë. Koreografja Angjelina Nika, sigurisht, ka jetuar emocione të mëdha, kur ndiqte lëvizjet e
vogëlushëve të "saj" në skenë të shoqëroheshin me duartrokitje të spektatorëve.
Një grup tjetër fëmijësh, nën drejtimin e kompozitorit Agim Kola, këndoi një këngë të shoqëruar me
lëvizjet e tyre; na dhuruan kënaqësi.
Prezantuesit tashmë të njohur, avokatja Angela Zagreda dhe tenori Kreshnik Zhabjaku nga skena,
njoftojnë fillimin e festivalit.
Në skenë u ngjitet Famulltari i Kishës Katolike "Zoja e Shkodrës", i përndershmi dhe i respektuari,
oratori Dom Pjetër Popaj.
"Vëllezër e motra! ... Falenderojmë të madhin Zot që jemi shqiptarë... Gjuha Shqipe është e jona, jo e
huaja, prandaj të gjithëve ne me forcë na takon ta rruajmë dhe ta kultivojmë për ta përcjellë brez pas
brezi. Nëse ne shqiptarët, në familjet tona i mësojmë fëmijëve gjuhën tonë të bukur, jemi zot shtëpie,
ndërsa kur  i flasim vetëm gjuhën e huaj, mbetemi mysafirë.
Ti mund të thuash; po unë nuk jam kombi, nuk jam kultura, gjuha shqipe... Ti je vetë jeta e kombit , e
kulturës dhe e gjuhës.... Sakrificat e mëdha që janë bërë në përgatitjen e këtij festivali dhe komisionit
organizativ, ka ndikuar edhe tek juve të gjithë spektatorë të dashur, të ndodheni sot në këtë sallë të
madhe të festivalit... Në javën tjetër këtu në Amerikë është festa e falenderimit; ne sonte e kremtojmë
atë festë, duke e falenderuar të madhin Zot e duke frymëzuar njëri tjetrin me fjalët e bukura O sa mirë
që jam shqiptarë..." - tha ndërmjet të tjerash i përndershmi, oratori, Dom Pjetër Popaj.
Festivali ishte ndarë në tre pjesë. Në përfundim të pjesës së tretë, pas tërheqjes së jurisë, në pjesën
e katërt kënduan këngëtarët e njohur të komunitetit, Kreshnik Zhabjaku, Arbërie Ethemi, Morena Reka,
Paulin Trieshi.
Në pjesën e parë të festivalit u ngjitën në skenë grupi i valleve "Rozafati" me koreografi Angjelina Nika,
këngëtarët Haxhi Zeneli, Luljeta Pëllumbi, Xhelal Gjurkaj, Klementina Morina, Dile Gecaj, Mirlinda
Bytyçi, Valentina Dedvukaj, Grupi "Bashkimi" me koreografi Bashkim Jaho.
Në pjesën e dytë u ngjitën në skenë "Sh.K.A. Kelmendi", Ansambli "Rugova", duke interpretuar disa
valle popullore, melodi me gjethe (fletë), lojë me tepsi, këngë lirike, këngë humoristike, këngëtarja
Agime Lajçi Sinanaj dhe Grupi "Bashkimi"
Valltarët e Ansamblit "Rugova" vallëzonin në skenë, valltari prijës mbante në duar një flamur ku ishin
shkruar "Ansambli Artistik Rugova" .Duke parë lëvizjet e tyre me flamurin në dorë të dukej se
ndodheshim në krahinën e Rugovës, në Grykën e asaj natyre të magjishme, me ata njerëz të
mrekullueshëm.
Në pjesën e tretë të festivalit u ngjitën në skenë këngëtarët Nik Carku, Geris Duma, John Krasniqi,
humoristi i mirënjohur Koço Devole, Grupi i valleve "Rozafati", instrumentistët në çifteli dhe fyell E.
Rexhaj dhe K. Smalaj. këngëtari vogëlush Albert Stanaj dhe përsëri Grupi i Valleve "Bashkimi"
Këngëtari vogëlush Albert Stanaj me zërin e tij klasik, të kthjellët, voluminoz, timbrik, për vetë moshën e
tij, bëri që spektatorët t'i dhuronin duartrokitje të fuqishme dhe të pandërprera.
E bukur dhe interesante ishte edhe loja me tepsi. Një grua e Ansamblit "Rugova" rrotullonte pa
ndërpreje tepsinë me gishtat e saja, ndërsa grupi i grave e shoqëronin në këngë.
Si gjithmonë i suksesshëm dhe plot humor ishte edhe në atë festival edhe i mirënjohuri Koço Devole,
i cili gjatë gjithë kohës së interpretimit u shoqërua me të qeshura dhe me duartrokitje. "Mirëmbrëma
gra!" - e filloi humorrin e tij Devole, "Epo, gjithë jetën themi mirëmbrëma burra. Pa ta kthejmë njëherë
Mirëmbrëma gra..."

E papritur dhe tepër emocionante ishte edhe përshëndetja e Kryetares së Parlamentit të Shqipërisë,
zonjës së nderuar Jozefina Topalli, lexuar nga yoti Rasim Hasanaj, Drejtor për Marëdhëniet ndërfetare..
"Të nderuar organizatorë të festivalit! Ju falenderoj përzemërsisht për ftesën që më keni bërë për të
qenë edhe unë aty mes jush, por më vjen keq, angazhimet e shumta të punës shtetërore ma bëjnë të
pamundur ardhjen time..., Jam e bindur se pjesëmarrja në këtë festival të organizuar nga Kisha
katolike "Zoja e Shkodrës" si festivali i mbarë bashkatdhetarëve tanë nga të gjitha Shtetet e Bashkuara
të Amerikës nga të gjitha trevat shqiptare, nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Çamëria, do të
jetë e madhe ...Gjej rastin të vlerësoj ndihmesën tuaj... - tha ndërmjet të tjerash në përshëndetjen e
saj zonja Topalli.

"Nënë moj do marr një udhë, moj nëna ime/ do kaloj male me gurë moj nëna ime/ ... këndonte Luljeta
Pëllumbi. Të gjithë e ndjemë atë këngë, sepse të gjithë e kemi lënë atdheun tonë, njerëzit tanë. Kemi
kaluar jo vetëm male me gurë, por shtete të tërë, dete oqeane...
Interpretimi dinjitoz i këngëtares Dila Gecaj me këngën për pavarësinë e Kosovës ishte si një ogur i
mirë për të shumëpriturën, shumëëndëruarën, Pavarësinë së shpejti të Kosovës së vuajtur...
"Valle me motive tradicionale",... "Valle Çame" u interpretua nga Grupi i Valltarëve "Bashkimi" me
koreografi të Bashkim Brahos. Ata djem dhe vajza valltarë, të rinj në moshë, herë të qeshur në fytyrat e
tyre e herë të dhimbshëm, siç ishin edhe vetë vargjet që shoqëronin vallen, na bënë edhe neve,
spektatorëve të bëheshim një trup me valltarët, të ndjenim dhe të jetonim dhimbjen çame: /Çamëri na
morri malli, se neve u ndamë për së gjalli/ U ndamë për së gjalli, s'njohim njëri-tjetrin/ Motra s'njeh
vëllanë, i riu të vjetrin/ Çamëri, moj Çamëri, na mbeti loti në sy/ Përjetë të ndarë, s'ka mbet lot pa të
qarë.../
Plot dhimbje dhe humor ishte edhe pjesa humoristike-sarkastike "Fukarai" e interpretuar mjeshtërisht
nga dy bashkatdhetarë, ku ishin përballë dy shqiptarë të ardhur në Amerikë me dy jetë ekstreme; njëri
ishte i pasur me biynese të ndryshme, ndërsa tjetri shëtiste rrugëve me karrocën e tij të mbushur me
thasë me kanaçe pijesh freskuese. I papunë, pa shtëpi, fukaraja kërkon ndihmën e bashkatdhetarit të
tij të pasur. Por, siç doli edhe vetë nga ajo pjesë humoro-satirike, e luajtur me mjeshtëri nga dy
bashkatdhetarët tanë, nuk duhet të ketë midis nesh ndarje dhe përçarje fetare, krahine... Shqiptarët
janë një, pavarësisht se janë nga Shqipëria, nga Kosova, nga Maqedonia, nga Mali i Zi, nga Çamëria,
pavarësisht se me cilën kulturë fetare janë edukuar për të besuar edhe pse ka shumë shqiptarë që i
besojnë dhe i respektojnë të gjitha fetë...
Këngët e festivalit u shoqëruan nga orkestrina tashmë e njohur dhe famoze e Komunitetit "Grupi
Muzikor "ALBA" nën drejtimin e kitaristit Edi Xhani.
Në pozita të "vështira" u ndodh edhe Juria e Festivalit e përbërë nga Fadil Berisha, Kryetar,
Pierre-Pandeli Simsia, Valentina Gorvokaj Curanaj, Agim Kola dhe Adem Belliu.
Duheshin zgjedhur "katër" lulet nga ajo "lëndinë" e bukur shumëngjyrëshe për të vlerësuar vokalistin
më të mirë, koreografinë më të mirë, kostumin më të mirë, grupin valltar më të mirë.
Juria e Festivalit vlerësoi:
Kostumi më i mirë        Grupi "Rozafati"
Grupi më i mirë             Grupi "Bashkimi", Koreografia Bashkim Braho
Koreografia më e mirë Angjelina Nika
Këngëtari më i mirë      Albert Stanaj

Festivali i 17-të Folklorik i Diasporës Shqiptare u përcoll nga njerëzit e njohur të shtypit dhe
televizioneve shqiptare këtu në Sh.B.A. dhe nga media dhe televizionet e tjera amerikane.
Organizatorët dhe artistët pjesëmarrës në atë festival na sollën pranë Shqiptarinë, sepse Shqiptaria
vjen atje ku ka shqiptarë, Shqiptarinë e sjellin vetë shqiptarët, atje ku punojnë dhe jetojnë shqiptarët.
Zërat e këngëtarëve, kostumet popullore shumëngjyrëshe, hapat e lehtë si fllad pranvere të valltarëve,
tingujt e ëmbël të instrumenteve popullorë, skenografia..., duke krijuar atë mozaik brilant ngjyrash dhe
tingujsh, artistët e mrekullueshëm shqiptarë të diasporës na sollën pranë në atë sallë të madhe gjithë
Shqiptarinë, për të na "shëtitur" në të gjitha trevat shqiptare.
Festivali i 17-të Folklorik i Diasporës, si rruajtës dhe përkrahës i traditave të shkëlqyera folklorike dhe
muzikore shqiptare, tregoi edhe njëherë vlerat e larta kulturore-artistike që kemi ne si Komb, folklorin
tonë të pasur, humorin e "kripur" shqiptar, këngët dhe vallet tona pambarim me Gurën e pashtershme
Popullore.
Qendra Kulturore "Nënë Tereza" e Kishës Katolike me qendër në Nju Jork  ka një meritë të
jashtëzakonshme, një vlerësim të veçantë nga mbarë Komuniteti Shqiptar i Amerikës me këtë aktivitet
kaq të larmishëm dhe të rëndësishëm që zhvillon çdo vit, duke mbajtur përherë gjallë vlerat e larta të
Kulturës dhe Folklorit tonë, duke na bashkuar të gjithë së bashku pa dallim feje dhe nga cila krahinë
jemi.
Ai aktivitet i rëndësishëm ishte një organizim i shkëlqyer nga organizatorët e festivalit. Urimi që del nga
thellësia e shpirtit: "J'u lumtë! Urime! Suksese! Keni bërë një punë të shkëlqyer! J'u jemi borxhlinj dhe
mirënjohës për gjithshka bëni..."
Faleminderit gjithë organizatorëve të Festivalit, të cilit, sapo i festuam moshën e tij të bukur të 17-të.
Faleminderit Qendra Kulturore "Nënë Tereza" e Kishës Katolike me qendër në Harrtsdale në Nju Jork.
Faleminderit gjithë artistëve pjesëmarrës në festival.
Faleminderit gjithë pjesëmarrësve që mbushën plot atë sallë gjigande në festën e kulturës, traditës,
folklorit tonë.
Faleminderit punonjësve të palodhur dhe të kudogjendur të shtypit dhe të televizioneve të ndryshme,
që përcollën atë aktivitet të rëndësishëm kulturor.
Mirutakofshim në festa dhe gëzime të tjera në Komunitet.
     
Komisioni Organizativ i Festivalit të 17-të.

Famulltar: Dom Pjetër Popaj, Drejtor i festivalit: Mark Shkreli, Drejtor organizativ: Gjon Chota, Regjisor:
Gëzim Nika, Këshilli Artistik: Edi Xhani, Astrit Tota, Fran Çotaj, Drejtor i skenës: Ludvig Çotaj,
Koordinator i mediave: Simon Vukel, Koordinatore e reklamave: Lule Gjokaj, Skenografia: Fran Shala,
Prezantues: Angela Zagreda dhe Kreshnik Zhabjaku, Orkestra "ALBA", Drejtues Edmond Xhani.

Anëtarë:

Prena Berisha, Marjam Cubi, Idriz Çelaj, Flamur Husaj, Alex Lulaj, Elsa Lulaj, Tonin Lumaj, Luc Malota,
Ismer Mjeku, Angjelina Nika, Fran Pllumaj, Hila Popaj, Palok Rudaj, Gjok Selca, Gjergj Simolacaj.

Thanë për festivalin:

Dr. "Namiku:  Dëshiroj të jap mendimin tim për Festivalin e 17-të mbarëkombëtar që sapo mbaroi dhe
që ne ndjemë një kënaqësi tepër të veçantë. Për mua, ky festival ka qenë më i mirë, më i plotë, vallet,
këngët e bukura popullore...
Dua të përmend të përndershim famulltar Dom Pjetër Popaj. kam pasur disa herë rastin ta dëgjoj në
shumë aktivitete që zhvillon komuniteti ynë. Është një njeri jashtëzakonisht i përgatitur. Dua ta
falenderoj dhe kam kënaqësinë ta dëgjoj shpesh në aktivitete të ndryshme. Ndërsa për drejtorin e
festivalit zotin Mark Shkreli, pasi e njoh nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme dhe shkëmbimit të
e-mail-eve, dua të them se e kam një dobësi të madhe. Si vazhdues i festivaleve, zoti Mark Shkreli ka
meritën e tij se çdo vit sjell të reja të veçanta..."

Zoti Sali Bollati: "Ishte një kënaqësi e veçantë që na solli ky festival dhe e ndjemë veten tonë për aq
orë sa ndodheshim në atë sallë, sikur ishim atje, në atdheun tonë, sepse, që nga Kosova e deri në
Çamëri, artistët ishin përfaqësuar nga të gjitha anët. Kjo është merita e organizatorëve të festivalit, e
Kishës katolike "Zoja e Shkodrës", sepse, të them të drejtën gjatë këtyre kohëve të fundit kam marrë
pjesë në tre takime që ka zhvilluar Kisha, si përvjetori i Nënë Terezës e deri tek ky i sotmi. Këto
aktivitete Kisha Katolike i zhvillon me një frymë kombëtare bashkimi, pa dallim feje. Ashtu siç ishte
vetë Nëna Tereze, nëna e të gjithëve edhe këtu Kisha Katolike e Nju Jorkut po tregohet nëna e të gjithë
bashkatdhetarëve.
Na kënaq shumë me këto aktivitete që zhvillon... I uroj suksese..."

Lule Jonuzi:" Kam ardh në Amerikë qysh në vitin 1999 në kohën e luftës në Kosovë. Due me falenderu
tan organizatorët e ktij festivali... Nuk di ç'a me thanë. Jena knaq shumë, shumë..
Ishte vërtet nji festë shumë e bukur. Suksese organizatorëve të festivalit..."

Shkurte Avdija:" Edhe unë kam ardh qysh në vitin 1999 në Amerikë. Na ka pëlqy shumë ky festival.
Jena kënaq. urime organizatorëve të festivalit, urime Kishës katolike..."

Elisabet Stein (Stain): ..."Edhe pse nuk e kuptoj gjuhën tuaj u mrekullova me ç'pashë sonte këtu në
këtë sallë të madhe, me veshjet e artistëve shqiptarë... Arti i bukur dhe i vërtetë di të flasë vetë edhe pa
e njohur gjuhën e shtetit se nga vjen ai art... jeni popull i mrekullueshëm... Edhe tani që po flas me Ju,
i kam parasysh ata djem e vajza të bukura me moshë të re që vallëzonin... Congratulation!

Debi Anderson: "...Është viti i tretë që vij e shoh festivalin shqiptar... Në zyrën e punës sonë punon
edhe një shqiptare, Adelina... Ajo na ftoi të shihnim një festival shqiptar. Më ka pëlqyer shumë festivali i
para tre vjetëve dhe çdo vit nuk mund të rri pa ardhur e të shoh artin e bukur shqiptar. edhe sonte ky
festival ishte një kënaqësi, befasi, mrekulli... Congratulation!

Nju Jork, 13 Nëntor, 2007
Hapja e Festivalit
Prezantuesit e festivalit:
Angela Zagreda dhe
Kreshnik Zhabjaku
Dom Pjetër Popaj
Fëmijët këndojnë nën drejtimin e
kompozitorit Agim Kola
Sh.K.A. "Kelmendi"
Grupi "Rozafati" me Sh.K.A.
Kelmendi
Ansambli Folklorik "Rugova"
Këngëtarja Agime
Lajci-Sinanaj dhe Grupi
Folklorik "RUGOVA"
Loja me tepsi Agime
Lajci-Sinanaj
Aktori i humorit Koço Devole
Valltarët e grupit
"Rozafati"
Këngëtari fitues Albert
Stanaj me Sh.K.A.
"Bashkimi Kombëtar"
Këngëtari Haxhi Zeneli
Luljeta Pëllumbi
Xhella gjurkaj dhe Luljeta
Pëllumbi
Klementina Morina
Dile Gecaj
Mirlinda Bytyçi
Valentina Dedvukaj
K. Smajlaj, & E. Rexhaj
Nik Çarku
Xhon Krasniqi
Arbërie Et'hemi
Morena Reka         
Paulin Trieshi
Ambasadori i Shqipërisë
pranë O.K.B-së z. Adrian
Neritani
Ethel raim me një shoqe,
Dom Pjetër Popaj, N.
Përgjini, V. Dedaj Gj. Chotaj.
Dom Pjetër Popaj, N.
Përgjini, V. Dedaj Gj. Chotaj.
Udhëheqës të "VATRËS"
Anëtarët e Jurisë
Dr. Anna Kohen me
bashkëshortin dhe Kryesia
e "VATRËS"